Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në twitter: Lulëzim! Sa më shumë i shmangesh sqarimit për lidhjen tende me shpifesirën e Dick Marty dhe rrekesh të fshihesh pas pllakëe së gramafonit të prishur, aq më shumë pohon se je kujdestari i dosjes së Shtëpisë së Verdhë dhe përkthyesi i maskuar i shqiptarëve tê marrë në pyetje! Fakti që nuk ke gjunj të përballesh as me pyetjen, pse e votoi PD-LSI raportin e Dick Marty kur ne e votuam kundër(?), tregon se ti as ke qenë, as je, as bëhesh dot lideri i opozitës, po mbetesh kukulla e Saliut, Ilirit dhe Monikës!
E menjëherë pas tij edhe kreu i PD: Të gjithë e kuptojnë se ti gënjen e shpif vetëm për të larguar vëmendjen nga pyetjet që ju interesojnë vërtet qytetarëve:Pse qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga COVID si rezultat i dështimit tënd?Pse spitalet janë mbushur plot dhe të sëmurët dergjen në ambulanca dhe korridore?
Pse e ke shkatërruar ekonominë?Pse nuk ju jep ndihmë financiare të prekurve nga COVID? Pse e ke mbyllur derën e BE? Shqiptarët kanë nevojë për një kryeministër që punon për ta e jo një klloun të dështuar si Rama.Bashkë do ti fitojmë zgjedhjet & do shërojmë plagët e hapura nga ai!
“Cfarë lidhje ke ti me të vërtetën, Edi Rama? Premtove shëndetësi falas- gënjeve. Premtove 300 mijë vende pune-gënjeve. Papunësia në Shqipëri arriti majat. Premtove se do ulësh çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve-gënjeve. Çmimet vetëm janë rritur. Premtove se do ulësh taksat – gënjeve.
Premtove se do ulësh çmimin e energjisë – gënjeve. Po vjen dita të largohesh gënjeshtar. Është koha për një të ardhme të re për Shqipërinë!”, kështu shkroi Lulzim Basha më heret.
“Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulëzim, thuaje të vërtetën!”- kështu shkroi pak minuta më parë në Twitter kryeministri Edi Rama, si një kundërpërgjigje ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Pak më parë, ky i fundit u shpreh:
“Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë”.
Por si nisi debati i sotshëm virtual?
Edi Rama shkroi mbi raportin e Dick Marty-t për UÇK-në.
“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”
Bëhet fjalë për kohën, kur Lulzim Basha ishte përkthyes në atë kohë. Baza e materialit hetimor të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe krerëve të UÇK-së ishte pikërisht raporti i Dick Marty-t, senatorit zviceran që e ktheu në rezolutë të Këshillit të Evropës në vitin 2011.
Në ato vite, Jose Pablo Baraybar, një antropolog peruan që ishte në grupin e hetimeve të prokurorisë së Hagës pati dhënë një intervistë në një gazetë zvicerane, ku theksonte se në grupin e atyre personave që ishin marrë me këtë çështje ishte edhe një përkthyes shqiptar i cili quhej Lulzim Basha. Në kohën kur Gjykata e Hagës nisi hetimet, Lulzim Basha ishte i punësuar në Kosovë si pjesë e administratës ndërkombëtare të OKB-së.
Por, nga ana tjetër kreu i PD-së nuk ka folur asnjëherë për të sqaruar këtë çështje, por në mënyrë të tërthortë e ka mohuar. Në një intervistë për mediat vendase peruani, Jose Pablo Baraybar, i cili u pyet se Basha thotë se nuk ka qenë pjesë e hetimeve deklaroi krejt të kundërtën e pohimit të liderit aktual të PD-së.
Menjëherë erdhi një reagim nga vetë Basha:
“Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”.
Për të vazhduar sërish me Ramën:
“Lulëzim! Mos u fshih pas Covid-it dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë!E thuaje cfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty!”
Veliaj: PS familja më patriotike në Shqipëri, nuk i tha kurrë UÇK-së terroriste dhe as votoi raportin e Dick Martit, si PD dhe LSI
Kryebashkiaku Erion Veliaj ftoi simpatizantët e PD dhe të LSI që të bashkohen me familjen socialiste.
Nga Njësia 13, Veliaj theksoi se PS është forca më patriotike në vend, ndërsa theksoi se ajo asnjëherë nuk e cilësoi UÇK-në terroriste dhe as nuk votoi raportin e Dick Martit kundër Kosovës, sikurse bëri PD dhe LSI.
“Kjo forcë politike nuk i tha kurrë UÇK-së terroriste, siç e tha dikush tjetër. Kjo forcë politike nuk e votoi kurrë raportin e Dick Martit, siç e votuan ata të tjerët. Kjo forcë politike nuk shpifi, dhe nuk gatoi kurrë dosje për shtëpinë e verdhë, për trafik organesh, siç bëri pala tjetër. Kjo forcë politike nuk e shiti kurrë detin e Shqipërisë, përkundrazi e fitoi betejën në Gjykatë Kushtetuese.
Ky është patriotizmi sot. Kjo është të jesh patriot. Nuk po kërkon asnjë të marrim pushkët dhe të dalim malit, por mos të tradhtojmë Shqipërinë, mos ta shesim detin, të mos tradhtojmë Kosovën, të mos çojmë në Hagë ata që janë luftëtarë të lirisë. Ky është patriotizmi sot. Edhe në këtë pikë, për ju që sapo u anëtarësuat në PS, duhet të ndjeheni mirë, jeni bashkuar me familjen më patriotike të republikës së Shqipërisë”, tha Veliaj.
Top Channel