Nga sot drejtuesit e mjeteve, do të duhet të zbatojnë rregullat e reja të qarkullimit, pasi gabimet do të kushtojnë më shtrenjtë, që nga niveli i gjobave e deri te bllokimi i patentave. Kodi i plotë i publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, përfshin 10-fishim të gjobave për personat që dëmtojnë sinjalistikën rrugore, apo nuk marrin masa për sigurimin e fëmijëve nën 12 vjeç, me ndenjëse të fiksuara. Po ashtu, nisur nga shqetësimet e ngritura nga drejtuesit e mjeteve për shpërqendrimin nga tabelat e reklamave në anë të rrugës, subjektet që i vendosin ato rrezikojnë të paguajnë gjobë nga 100 deri në 400 mijë lekë.
“Është e ndaluar çdo lloj reklame përgjatë ose e dukshme nga itineraret ndërkombëtare, autostradat, rrugët interurbane kryesore dhe hyrjet e tyre. Në këto rrugë lejohet reklamimi vetëm në zonat e shërbimit ose parkimit, kur për këtë është marrë autorizimi nga enti pronar i rrugës, si dhe kur kjo reklamë nuk është e dukshme nga rruga”, thuhet në pikën 7 të nenit 23. Ndryshimet prekin edhe rikategorizimin e llojit të patentave (të cilat do të dalin me një format të ri), rikategorizimin e mjeteve, specifikime për moshën e drejtuesve (nga 16 deri në 18 vjeç, mosha e lejuar sipas llojit të mjetit), si dhe kriteret për autoshkollat. Për marrjen e lejes së drejtimit, janë miratuar kontrollet shëndetësore dhe psikike për kandidatët, dhe për disa sëmundje që mbartin drejtuesit, do të ketë kontrolle periodike.
Transporti i fëmijëve
Për fëmijët nën 12 vjeç, do të jetë i detyruar rripi i sigurimit dhe pajisja shtesë ku ata ulen dhe qwndrojnë të fiksuar gjatë udhëtimit. Në rast se do konstatohen shkelje, drejtuesit rrezikojnë të marrin gjobë deri në 15 mijë lekë, po ashtu edhe të humbasin lejen e drejtimit për 1 vit. “Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë.
Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije. Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj”, thuhet në Kod, ndërsa neni që referon përdorimin ose jo të rripit, citon se pasagjerët deri në moshën 12 vjeç mund të rrinë në vendet e përparme të mjeteve të kategorive M1, N1, N2 dhe N3 (mjete për transport njerëzish me 4 e më shumë vende) vetëm kur mbahen nga sisteme të përshtatshme fiksuese.
Fëmijët nuk duhen transportuar në sisteme fiksuese me fytyrë prapa në ndenjëset e pasagjerëve të mbrojtura me jastëk ajri, përveçse kur këto të fundit janë të çaktivizuara. Po ashtu, në autovetura dhe furgonë, do të lejohet transporti mbi numrin e lejuar të dy fëmijëve me moshë më të vogël se 10 vjeç në kabinë, me kusht që të jenë të shoqëruar nga të paktën një pasagjer me moshë mbi 18 vjeç.
Pikët e patentës
Patenta do të ketë 20 pikë dhe në varësi të gabimeve në drejtimin e mjetit do të bëhen zbritje. Në nenin 120 të Kodit, shtohet një pikë, sipas së cilës “leja e drejtimit do të jetë me pikë”, dhe për rreth 45 gabime, të cilat janë caktuar më herët me një projektvendim të Ministrisë së Transporteve, do të zbriten pikë, nga efektivët e qarkullimit rrugor. Në raste të ndryshme, as gjoba nuk do t’i bëjë punë drejtuesit të mjetit në rast se gabimet i shkaktojnë humbje të menjëhershme të 15 pikëve. Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura do të përcaktohen nga Ministria e Transporteve me akte të veçanta që rregullojnë veprimtarinë e Autoshkollave dhe programet e testimit, por ato në disa raste, pikët rikuperohen nga pagesa e gjobave në kohë.
Sjelljet në rrugë
Këmbësorët përballë drejtuesve
Është e ndaluar për këmbësorët të kapërcejnë kryqëzimet në mënyrë diagonale dhe, gjithashtu, ndalohet kapërcimi i shesheve jashtë vendkalimeve këmbësore, kur ato ekzistojnë.
Është e ndaluar për këmbësorët të qëndrojnë ose të vonohen në karrexhatë, përveç rasteve kur është e domosdoshme për sigurimin e lëvizjes. Është gjithashtu i ndaluar qëndrimi në grup në trotuare, bankina ose pranë vendkalimeve këmbësore, duke krijuar pengesë për kalimin normal të këmbësorëve të tjerë.
Është e ndaluar për këmbësorët të kryejnë kapërcime rrugore, duke kaluar përpara autobusëve, trolejbusëve dhe tramvajeve që kanë ndaluar në stacione.
Qarkullimi me anë të patinave, karrocave ose me të tjerë shpejtues lëvizjeje është i ndaluar në karrexhatat e rrugëve.
Drejtuesit përballë këmbësorëve
Kur trafiku nuk është i rregulluar nga polici ose nga semafori, drejtuesit e mjeteve duhet t’i japin përparësi, duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar, këmbësorëve që kalojnë në vendkalimet këmbësore.
Në rrugë të pa pajisura me vendkalime këmbësorësh drejtuesit e mjeteve duhet t’i lejojnë këmbësorit, që ka filluar kapërcimin e karrexhatës, të arrijë i sigurt në anën tjetër.
Drejtuesit e mjeteve duhet të ndalojnë, kur një person invalid me aftësi lëvizjeje të kufizuara ose që lëviz me karrocë invalidësh, ose i pajisur me shkop të bardhë, ose i shoqëruar me një qen drejtues, kapërcen karrexhatën, ose ka ndërmend ta kapërcejë, dhe duhet të shmangin situata të rrezikshme që mund të shkaktohen nga veprime të gabuara a të ngathëta të fëmijëve dhe të të moshuarve.
Drejtuesit që shkelin rregullat e mësipërme, ndëshkohen me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
(shekulli)