Numri i personave të prekur në Itali nga koronavirusi u rrit të dielën. Me dhjetëra raste janë raportuar në Lombardi, një rajon në veri të Italisë që përfshin atë që njihet si kryeqyteti financiar i vendit, Milano.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në vend me koronavirus ka arritur në 132, bëri të ditur shefi i Mbrojtjes Civile italiane Angelo Borrelli. Ndërkohë një ditë më parë autoritetet italiane bënë të ditur se dy persona kanë humbur jetën në Itali si pasojë e virusit.
Koreja e Jugut ka rritur nivelin e alarmit lidhur me koronavirusit në shkallën më të lartë të tij. Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in u bëri thirrje zyrtarëve që të mos hezitojnë të marrin “masa të pashembullta e të fuqishme” siç tha ai, për t’u përballur me situatën. Qendrat e Koresë për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftuan 123 raste të reja personash të infektuar që e çon numrin e përgjithshëm në 556.
Të shtunën Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi këshilla për udhëtimet drejt Japonisë e Korenë e Jugut për shkak të shpërthimit të koronavirusit, duke u kërkuar udhëtarëve të “rrisin kujdesin” nëse vizitojnë këto vende.
Kina raportoi 648 infeksione të reja të dielën dhe një total prej 76.936, ndërsa numri i vdekje ka shkuar në 2.442. Jashtë Kinës më shumë se 1200 persona janë infektuar dhe më shumë se 12 vetë kanë vdekur.
Megjithëse Kina ka raportuar një rënie të fortë të numrit të vdekjeve dhe raste të reja me koronavirus, zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëruan se është ende shumë herët për të bërë parashikime rreth situatës në kushtet kur po rriten rastet e të infektuarve rishtazi në vende të tjera të botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim mbi numrin e të infektuarve në vende të tjera pa ndonjë lidhje të qartë me Kinën siç mund të jetë një vizitë atje apo kontakti me një person të infektuar, rreth të cilit autoritet kanë informacion.
voa