Presidenti Jean-Claude Juncker vazhdon sot ( 26.02.2018 ) vizitën e tij në Tiranë. Ai dërgoi mesazhe premtuese jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin. Kushti: plotësimi i kritereve!
Plotësoni të gjitha kriteret e anëtarësimit dhe nëse kjo ndodh, ejani në 2025 në Bashkimin Euroipian! Presidenti i Komisionit Europian, Juncker, inkurajoi nga Tirana të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ta shohin vitin 2025 si një vit të hapur për të hyrë në BE. Ai ka mbërritur mbrëmë (25.02.2018) në Tiranë nga Shkupi, ku nisi turin e paralajmëruar në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Juncker foli qartë kur tha se 2025 është një datë e mundshme jo vetëm për dy vendet pararendëse në procesin e integrimit, Serbinë dhe Malin e Zi, por edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit që aspirojnë t’i bashkohen BE.
“Ndryshe nga sa lexojmë kudo, Komisioni dhe unë vetë nuk kemi thënë që Serbia dhe Mali i Zi do të jenë patjetër anëtarë të BE në 2025. Data e 2025 është e hapur për të gjitha vendet kandidate. Dhe në bazë të plotësimit të gjithë kritereve të anëtarësimit, që një vend kandidat arrin në këtë datë, më vonë apo më herët, përpjekjet e tij do të njihen nga BE”, tha Juncker mbrëmë në konferencën e përbashkët për shtyp me kryemnistrin Rama.
Vijim i reformave, qëndrushmëri në rezultatet e tyre
Në krye të kritereve janë vijim i reformave të brendshme, transformimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, për të arritur standartet e BE, në të gjitha fushat e jetës. Reforma në Drejtësi dhe sidomos vettingu, janë arritjet më të vlerësuara të Shqipërisë nga KE, në procesin e afrimit te saj me BE. Kryeministri Rama tha në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Juncker se vettingu i gjykatësve dhe prokurorëve, si një nga pritshmërive kryesore te BE për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, ka dhënë tanimë rezultatet e para.
“17 gjykatës dhe prokurorë të niveleve më të larta janë tërhequr nga vettingu. Faktikisht ata nuk do të jenë më pjesë e sistemit. Tregues i qartë, që vettingu ka filluar të funksionojë si shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivit, drejtësi e re dhe e pavarur”, tha kryeministri Rama.
Vetë Presidenti Juncker i quajti ”mbresëlënëse rezultatet e vettingut” dhe theksoi se “Shqipëria po akumulon progres pasi ka nisur shumë reforma” . Shpresat e Shqipërisë janë që vendet anëtare t’i përgjigjen pozitivisht rekomandimit dhe negociatat të hapen në qershor të këtij viti, kur përfundon presidenca bullgare e KE. Komisioni Europian ka rekomanduar që në nëntor të 2016 çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, duke theksuar domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformës në drejtësi dhe të procesit të vettingut. Kryemnistri Rama tha mbrëmë se Shqipëria “meriton rekomandimin e KE për hapjen e negociatave të anëtarësimit”.
Kryetarja e Delegacionit të BE, ambasadorja Romana Vlahutin i tha DW se : Shqipëria ka një perspektivë reale, të menjëhershme për të ecur përpara dhe për të hapur negociatat e pranimit. Sa më shumë reforma të implementohen, aq më shpejt arrihet qëllimi. Ka vetëm një përparim të qartë, të pamohueshëm dhe të prekshëm që do të sjellë Shqipërinë në BE”.
Juncker- Shqipëria të zgjidhë sa më parë konfliktet territoriale me Greqinë
Fundi i konflikteve territoriale me vendet fqinje të 6 vendeve të BP që aspirojnë anëtarësimin është një tjetër kriter i rëndësishëm i Brukselit për t’u plotësuar para hyrjes në BE. Për Shqipërinë fjala është për konfliktin më se 70-vjeҫar me Greqinë, të gjeneruar nga “ligji i luftës” i vitit 1941 mes dy vendeve, kur Musolini pushtoi Greqinë nga territori i Shqipërisë, i pushtuar prej tij në 1939.
“Problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhen sa më shpejt. Kemi një dritare mundësishë të hapura, duhet përdorur nga të dyja palët. Vendet e rajonit që kanë konflikte territoriale do të përpiqen t’i kalojnë dhe këto nuk mund të bëhen pas anëtarësimit, por para. Inkurajoj si Shqipërinë ashtu edhe Greqinë, sepse ky është një element plus për të pranuar hapjen e negociatave”, tha Juncker në konferencën për shtyp.
Shqipëria dhe Greqia po bëjnë progres drejt nënshkrimit të një marrveshjeje të re lidhur me kufinjtë territorialë mes tyre ne detin Jon. Presidenti i KE, Juncker do të vijojë edhe sot ( 26.02.2018) qëndrimin e tij në Tiranë me takime me politikanë dhe personalitete te Tiranës. Turi i tij ballkanik vijon pasdite me vizitën në Beograd. (dw)