Ergys Kaçe ka përgënjeshtruar lajmin që ka qarkulluar në disa media, ku thuhej se ai ishte larguar nga Kombëtarja për shkak të mospërputhjeve me trajnerin Gianni De Biasi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kaçe hedh poshtë këto lajme si aspak të vërteta.
“Unë nuk do të largohesha kurrë nga Kombëtarja Shqiptare për asnjëlloj arsyeje. Unë në Kombëtaren Shqiptare kam ardhur me një dëshirë të plotë dhe kurrësesi s’do të doja largimin nga Kombëtarja ime”, thotë Kaçe.
Mesfushori thotë se pranon çdo vendim të trajnerit për ngjyrat Kuqezi.
“Për ekipin tonë Kombëtar kam ndenjur edhe në stol, edhe në tribunë, por edhe në formacion. Kam respektuar gjithmonë zgjedhjet e trajnerit”, thotë ai.
“Shqipëria ose Kombëtarja Shqiptare është prejardhja ime, është Atdheu im, pavarsisht se unë jam rritur në një shtet tjetër. Nuk e kam mohuar kurrë Atdheun tim dhe jam shumë Krenar që jam Shqiptar”, shton më tej ai.
“Theksoj për lajmet false dhe të pavërteta që unë si Ergys Kaçe jam i lumtur në çdo moment kur Kombi im fiton pavarësisht a jam në stol, në tribune apo në formacion. Shqipëria Mbi Të Gjitha”, mbyll postimin e tij Ergys Kaçe.
Stili i lojës së De Biasit ka ngushtuar hapësirat në formacion për Ergys Kaçen, çka ka shtuar thashethemet për përplasje mes lojtarit dhe trajnerit.
/ Top Channel