Kanceri i gjirit tendencë në rritje në Shqipëri, vdekshmëria në ulje

kanceri i gjiritNë Shqipëri kanceri i gjirit ka një tendencë në rritje. Gjatë viteve të fundit, rastet e prekura janë rritur me 6% ndërsa vdekshmëria shënon ulje të lehtë. Ai është kanceri më i shpeshtë tek gratë dhe i dyti në popullatën e përgjithshme në vend. Autoritetet thonë se kanë shtuar kapacitetet diagnostikuese dhe se në 6 spitale rajonale që prej vitit 2017 ofrohet dhe trajtimi me kimioterapi. Fokusi mbetet në zgjerimin e hartës së trajtimit si dhe në shtimin e mjekëve specialistë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mimoza Picari bisedoi me disa gra të prekura nga kanceri i gjirit, mjekë, dhe ministren e shëndetësisë dhe përgatiti materialin në vazhdim. 

Në Shqipëri, autoritetet zyrtare dhe grupe shoqërore me ndikim në publik po shtojnë përpjekjet, që për kancerin e gjirit të punohet gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në tetor, që është shpallur si muaji i ndërgjegjësimit në gjithë botën. Ai është kanceri më i shpeshtë tek gratë dhe i dyti më i shpeshtë në popullatën e përgjithshme në Shqipëri. Ekspertët thonë se mund të haset në çdo moshë, por se në shumicën dërrmuese prek gratë mbi 50 vjeç. Në të gjithë botën sipas autoriteteve shëndetësore rastet me kancer gjiri janë rritur vitet e fundit. Kjo tendencë vihet re dhe në Shqipëri, ku që prej vitit 2015 janë rritur me 9%, nga 653 në 714 raste, por nga ana tjetër, vdekshmëria është ulur lehtë me 2% dhe shifrat mbeten thuajse të njëjta. Prej disa vitesh rreth 230 gra, ose afërsisht një e treta e atyre që diagnostikohen me kancer gjiri, humbin jetën çdo vit. Për autoritetet shëndetësore kjo qëndrueshmëri lidhet me diagnostikimin e hershëm dhe përparimin mjekësor në trajtim.

“Vdekshmëria ka mbetur stacionare, sepse kemi diagnostikim të hershëm. Sa më herët të kapet kjo sëmundje, aq më e favorshme është për gruan, familjen, komunitetin dhe shëndetësinë, pasi mbijetesa rritet”- tha për Zërin e Amerikës Kozeta Filipi, Instituti i Shëndetit Publik.

Zbulimin e hershëm, autoritetet e lidhin me ndërgjegjësimin në rritje, dhe shtimin e kapaciteteve diagnostikuese në gjithë vendin. Qeveria ka miratuar dy vite më parë edhe një program kombëtar për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

“Nëse do të kthehemi pas, para vitit 2013, dhe do t’i referohemi diagnostikimit të hershëm përmes mamografive, në 11 spitale rajonale ka patur dy apo tre mamografi funksionale. Sot në të gjitha spitalet rajonale ka mamografi funksionale gjatë gjithë vitit dhe falas. Përveç tyre kemi dhe dy njësi të lëvizshme mamografie, që gjatë gjithë vitit shkojnë në zonat rurale, aty ky gratë kanë akses më të ulët me këtë shërbim. Kryhen më shumë se 5 mijë mamografi në vit përmes tyre. Ne synojmë që për një vit të realizojmë 20 mijë mamografi dhe fokusi mbetet ta dyfishojmë”- shprehet për Zërin e Amerikës Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Mjekët thonë se trajtimet mjekësore të grave të prekura nga kanceri i gjirit kanë përparuar në 10 vitet e fundit, duke sjellë jetëgjatësi dhe cilësi jete më të mirë për to.

“Në 10 vjeçarin e fundit ne kemi bërë një hop cilësor, duke filluar nga trajtimi me medikamente të thjeshta dhe deri tek ato më të shtrenjtat. Nga ana tjetër, ne zotërojmë një qendër radioterapie të krahasueshme me qendrat europiane. Një ndihmesë të madhe kemi dhe me anatominë patologjike. Është kthyer në një shkencë të vërtetë me futjen e ekzaminimeve të ndryshme imunoistokimike, pra ngjyrime speciale që bëjnë të mundur të përcaktojnë dhe llojin e terapisë që do të marrë pacientja”- tha për Zërin e Amerikës Silva Çeliku, Shefe e Shërbimit Onkologjik, në QSUT.

Një prej 5 mijë grave që sot po jetojnë me sëmundjen dhe ndjekin terapitë, është dhe Rezarta Reçi, gazetare dhe shkrimtare. Ajo po e sfidon sëmundjen çdo ditë, ndjek ritet e saj të zakonshme të jetës, përkrah familjes dhe miqve, pa ndalur dhe krijimtarinë letrare. Ajo thotë se në fillim e ka refuzuar trajtimin, por tani është në jetë falë tij.

“Unë po flas me ju tani pikërisht prej trajtimit, në spitalin onkologjik në QSUT. Përshembull një gjilpërë që bëhet në këmbë, dhe zgjat 8 minuta, është provuar për herë të parë tek unë. Kanë përparuar mjekimet. Po të ishte një kohë tjetër nuk do flisja me kaq siguri. Janë aftësuar mjekët. Unë thjesht kam bërë detyrën, kam shkuar atje, kam zgjatur njërën këmbë, kam zgjatur njërën dorë për serume nën efektin e kimios, dhe kaq”- u shpreh për Zërin e Amerikës Rezarta Reçi, gazetare.

Drita Mlloja nga fshati Dajç i Shkodrës, është një e mbijetuar e kancerit të gjirit. Sot pas 7 vitesh ajo kujton rrugëtimin e vështirë drejt Tiranës për trajtimin me kimioterapi, përmes vështirësive ekonomike, ankthit dhe pasigurisë për jetën.

“Në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë i kam bërë të gjitha. Merrja taksinë shkoja deri në Tiranë. Kishte raste që nuk e bëja terapinë se nuk ishin mirë analizat. Shkoja prapë të nesërmen. Për makinën duheshin 60 mijë lekë. Nuk mund të shkosh me autobuz, se nuk je në gjendje. Kush ka bërë kimio e di që nuk ka mundësi fizike me udhëtu me furgona apo autobuzë. Ju lutem të gjitha zonjave të mos neglizhojnë gjërat që nuk duhet, sepse kjo është një sëmundje që nuk të fal jetën, s’të fal sekondën”- u shpreh për Zërin e Amerikës Drita Mlloja nga fshati Dajç i Shkodrës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastriliu tha për Zërin e Amerikës, se që prej vitit 2017 në 6 spitale rajonale janë ngritur kabinetet onkologjike dhe për kancerin e gjirit ofrohet trajtimi me kimioterapi. Buxheti për barnat e sëmundjeve malinje është trefishuar që prej viti 2018, ndërsa gratë e prekura nga kanceri i gjirit, sipas zonjës Manastirliu, bazuar në vlerësimin e mjekëve trajtohen dhe me ndihmë financiare gjatë kohës së trajtimit. Por megjithë përmirësimet, numri i grave që kërkon trajtim për kancerin e gjirit në spitalet rajonale është i lartë në raport me numrin e mjekëve. Një ndikim negativ duket se ka sjellë mbyllja e specializimeve në Universitetin e Mjekësisë në vitet 2009-2013. Pas rihapjes, specializantët e parë dolën në vitin 2018.

Sot për kancerin e gjirit ka më shumë mundësi për mbijetesë se disa dekada më parë, si pasojë e përparimeve shkencore në trajtim dhe shtimit të diagnostikimeve të hershme, ndaj dhe gratë e prekura e nisin betejën me të, me më shumë shpresë dhe guxim.

“I kam premtuar vetes të mbetem e pandryshuar me buzëqeshje me optimizëm, dhe me dëshirën për të jetuar bukur, nëse fati më ka caktuar që të jetoj” – vijoi Rezarta Reçi, gazetare.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>