Prokuroria mbyll hetimet ndaj pronarit italian të Agon Channel dhe 6 personave të tjerë. Akuza nga falsfikimi i dokumentave te vjedhje duke shpërdoruar detyrën, evazion fiskal dhe pastrim parash për 43 milion euro
Në Shqipëri, prokuroria njoftoi sot se ka mbyllur hetimet dhe ka cuar për gjykim dosjen ndaj sipërmarrësit italian Francesco Becchetti, pronar ndër të tjera dhe i televizionit Agon Channel, i cili prej disa muajsh është mbyllur
Ndaj Becchetti-t prokuroria shqiptare ka ngritur katër akuza që nga falsifikimi i dokumentave, te vjedhje duke shpërdoruar detyrën, evazion fiskal dhe pastrim parash. Sipërmarrësi italian kishte në Shqipëri 5 kompani, përmes të cilave, sipas prokurorëve ai ka ngitur një skemë mashtrimi, duke përfituar 38 milion euro, ndërkohë që 5 milion euro të tjera llogariten si shmangie ndaj detyrimeve tatimore.
Për Becchetti-n, autoritetet shqiptare kanë lëshuar dhe një urdhër arresti ndërkombëtar. Mbështetur në këtë urdhër, sipërmarrësi italian u ndalua disa javë më parë nga policia britanike në Londër ku ai jeton së fundmi. Ai u la i lirë pasi pagoi një shumë si garanci, por autoritetet i kanë mbajtur pasaportën, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nëse do të ekstradohet ose jo në Shqipëri.
Becchetti i ka mohuar akuzat e bëra ndaj tij dhe ka pretenduar se bëhet fjalë për një sulm me prapavijë politike për shkak të qëndrimeve kritike që televizioni Agon Channel ka patur ndaj qeverisë shqiptare.
Përvec sipërmarrësit italian, nën akuzë janë dhe të paktën gjashtë persona të tjerë mes të cilëve italiani Mauro de Renzis, bashkëpunëtori i Becchetti-it, e ëma e këtij të fundit Liliana Condomitti, dy bashkëpunëtorë shqiptarë dhe dy ish punonjës së Agjencisë së burimeve natyrore. (voa)