Kushti për nisjen e negociatave – zbatimi i reformës dhe i ligjit të vettingu, të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.
Delegacioni i BE në Tiranë njoftoi zyrtarisht se sot (09.11.2016) Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn publikoi në Bruksel Raport- Progresin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ku rekomandohet hapja e kushtezuar e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kushti thelbësor është zbatimi i reformës në drejtësi dhe sidomos i ligjit të vetting-ut, që para dy javësh u pezullua nga Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së PD ne opozitë për ta shpallur ligjin antikushtetues.
Në një konferencë shtypi në prag të publikimit të raportit , ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, tha se ky raport është më pozitivi që ka bërë ndonjëherë Brukseli për Shqipërinë. Ajo theksoi se Shqipëria ka bërë progres në 90% të të gjitha çështjeve si edhe në pesë prioritetet kyçe, që lidhen me hapjen e negociatave mes Tiranës dhe Brukselit .
” Shqipëria nuk ka shënuar përparim dhe kanë mbetur në vend 10 % e çështjeve që lidhen me hapjen e negociatave: liria e shprehjes, liria e lëvizjes për punë, peshkimi, prokurimet publike dhe çështjet audio- vizuale. Shumë e rëndesishme është fillim i zbatimit të Reformës në Drejtësi, ngritja dhe funksionimi i institiucioneve të reja të drejtësisë së reformuar” tha ambasadorja Vlahutin.
Vlerësimin më të lartë ”well prepared”, që do të thotë arritje e standartit të kërkuar për anëtarësim në BE, Shqipëria, sipas raportit në fjale, e ka marre vetëm në politikën e jashtme.
Shqipëria në mes të procesit drejt anëtarësimit në BE
Edhe pse në 90% të çështjeve që lidhen me hapjen e negociatave të anëtarësimit Shqipëria ka shënuar përparim, Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit të BE, – të përbërë nga kryeministrat e të gjitha vendeve anëtare- vetëm hapje të kushtëzuar të negociatave. Arësyen pse e tregon ambasadorja Vlahutin.
” Kur themi përparim , kjo nuk do të thotë se janë arritur rezultate përfundimtare që do të mund ta kualifikonin Shqipërinë për t’ u anëtarësuar në BE. Edhe kur bëhen hapa të vogla përpara, janë shënuar përparime. Shqipërisë do t’i duhen vite për të arritur përputhshmërinë me BE. Kapërcim i tranzicionit do të marrë kohë, Shqipëria është në mes të procesit të integrimit në BE”, tha ambasadorja Vlahutin.
Ajo theksoi gjithashtu se reforma zgjedhore dhe zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, trajtimi i çështjeve që lidhen me mungesën e paanshmërisë në komisionet zgjedhore janë kushtëzime të tjera lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Vettingu- në dhjetor pritet zhbllokimi i tij
Por në krye të kushtëzimeve, mbetet zbatimi i ligjit të pezulluar të Vetting-ut, si pjesa me thelbësore e Reformës në Drejtësi. Ajo që pritet me padurim nga BE është opinioni i Komisionit të Venecias , të përfshirë në reformën e drejtësisë.
” Ky Komision do të japë opinionin e tij në fillim të dhjetorit. Është fjala për disa nene jo për gjithë ligjin e vetting-ut. Shqipëria është në rrugën e duhur: u miratua paketa e ndryshimeve kushtetuese, Parlamenti ka miratuar 7 ligje për ngritjen e institucioneve të reja dhe 34 ligje të tjera pritet të miratohen. Shqipëria po ecën drejt BE mënyrë të qartë, gjë që nuk ka qënë kaq e tillë deri tani,” tha ambasadorja Vlahutin.
Në Tiranë dita e sotme mund të konsiderohet historike në procesin e gjatë dhe të mundimshëm të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE. Por rezultati i zgjedhjeve në SHBA dhe fitorja e Donald Trumpit po e konkuron fort këtë ngjarje, për sa i përket vëmendjes së politikanëve dhe publikut. (dw)