Sot është mbledhur Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën epidemiologjike dhe masat për përballimin e epidemisë, ku në fillim, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka prezantuar tre anetarët e rinj, Prof. Dhimitër Kraja, Prof. Ermira Kola dhe Prof. Ass. Alban Ylli, të cilët i ka vlerësuar për kontributin e tyre profesional.
Në fjalën e saj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke folur për situatën epidemiologjike, konfirmoi se ka variante të reja të virusit në qarkullim në vendin tonë.
“Sa i përket situatës epidemiologjike, shohim që kemi tendencë të uljes së qëndrueshme ditore. Prej 1 marsit vërehet një trend i uljes së qëndrueshme. Vlerësohet se kemi një normalizim në spitale. Por nga rezultatet e verifikimeve të kampioneve të marra në janar-shkurt në laboratorin e virologjisë, ku u krye analiza në bashkëpunim me ekspertët e shëndetit publik të Ankarasë në Turqi, rezultoi se ekziston varianti britanik i COVID-19, i cili qarkullon edhe në 70 vende të tjera”, u shpreh Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Shëndetësisë konfirmoi se nesër pritet ardhja e vaksinave të AstraZeneca, për të filluar menjëherë me vaksnimin e mësuesve.
“Nesër pritet të mbërrijnë një sasi prej 38,400 vaksinash të AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit Covax. Siç jeni në dijeni Shqipëria ka hedhur hapa që prej fillimit të krijimit të këtij mekanizmi, duke parapaguar 4 milionë dollarë. Do të fillojë menjëherë vaksinimi i mësuesve dhe do të vijojë dhe vaksinimi i moshës +80 vjeç”, tha Manastirliu. Prof. Silva Bino konfirmoi se vaksina e AstraZeneca do të përdoret në të gjitha grupmoshat, siç përdoret vaksina Pfizer.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik prof. Albana Fico dha detaje mbi situatën epidemiologjike në vend.
“Vërehen ndryshime në incidencën 2-javore, e cila ka pësuar një rënie, në 405 për 100 mijë banorë nga 515 që ishte. Mesatarja e rasteve ditore ka rënë në 819 nga 899. Rastet aktive kanë pësuar një ulje të lehtë, por që duhet të vijojë të monitorohet. Pavarësisht numrave që kanë prodhuar një lloj qëndrueshmërie, nuk është akoma momenti për t’u gëzuar, masat duhet të vijojnë”, tha Fico.
Duke folur për mutacionin britanik të COVID19, Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, prof. Silva Bino tha: “Janë identifikuar mutacione të SarsCov2, këto janë analizuar në mostra të cilat kanë pasur një dyshim epidemiologjik. Pra kanë qenë persona, të cilët kanë pasur kontakt me persona ku është evidentuar mutacioni, apo kanë qenë persona që kanë udhëtuar jashtë shtetit dhe kanë ardhur në Shqipëri, persona të rinfektuar, që sigurisht janë konfirmuar me metodën PCR dhe nga këto mostra të dyshuara që kemi analizuar, në 70 % të tyre ka rezultuar mutacioni B117, i cili është variant britanik”, ka konfirmuar Bino.
Në mbledhjen e sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Shefja e Pediatrisë Infektive, Prof. Gjeorgjina Kuli, ka bërë një pasqyrim të situatës së rasteve të fëmijëve të prekur nga Covid19.
“Aktualisht të regjistruar që nga fillimi i epidemisë kemi rreth 3500 raste pediatrike pozitive, prej të cilëve vetëm 5% kanë kërkuar ndihmë spitalore, pra, që kanë paraqitur komplikacione të aparatit respirator apo komplikacione”, tha Kuli.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka lënë në fuqi për dy javë, masat aktuale ndaj COVID-19, të cilat janë:
Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania).
Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit në banesë).
Shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë. Universitetet gjithashtu mbeten online si dhe mbetet në fuqi pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe.