Bujar Spahiu me dorë mbi Kur’anin Famëlartë, bëri betimin konform statutit përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, si vijon: “Betohem në emër të Allahut, se do të vazhdoj me besnikëri e përkushtim urdhrat e Islamit, do të punoj me ndërgjegje të plotë islame për lartësimin e fesë së Allahut, do të zbatoj me përpikmëri Statutin dhe Rregulloren e Komunitetit Mysliman, dhe do të punoj me ngulm për forcimin e ndjenjës kombëtare e atdhedashurisë ndër myslimanët e Republikës së Shqipërisë. Allahu më ndihmoftë!”
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë rizgjodhi kryetarin Bujar Spahiu për një mandat të dytë pesë-vjeçar, me gjithë valën e kundërshtimeve nga një pjesë besimtarësh, sipas të cilëve, udhëheqja e këtij institucioni është kapur nga njerëz të organizatës FETO të klerikut Fetullah Gylen.
Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman dëgjoi platformat mbi të ardhmen e këtij institucioni, si dhe pikëpamjet mbi çështje kryesore të kësaj bashkësie fetare, prej 3 kandidatëve nga Durrësi, Berati e Tirana, dhe rizgjodhi zotin Spahiu me 82 vota nga 92 anëtarë, që morën pjesë në votimin e fshehtë, ndërsa vetëm 2 prej tyre munguan në mbledhjen e sotme.
Ndërsa procedurat e mbledhjes së zakonshme dhe të votimit u cilësuan në përputhje me normat statutore, në mjediset e jashtme të Medresesë së Tiranës një grup besimtarësh protestuan me parrulla në duar kundër drejtuesve të këtij Komuniteti.
Në tabelat e tyre thuhej se gylensitët kanë pushtuar Komunitetin Mysliman dhe se FETO duhej ta linte të qetë këtë Komunitet.
Tubimi i tyre jashtë vazhdoi gjatë gjithë kohës, që zgjati mbledhja brenda Medresesë. Polemika dhe etiketime të tilla ka disa kohë që kanë nisur në gjirin e Komunitetit Mysliman, ndërsa gylenistët përmenden shpesh edhe në takimet zyrtare midis autoriteteve shqiptare dhe atyre turke.