Pas publikimit të dokumenteve të para të “Panama Papers”, menjëherë është ngritur pyetja se kush është Ismail Mulleti, emri i vetëm shqiptar deri tani, i cili rezulton i lidhur me kompanitë offshore të regjistruara në Panama.
Emri i Mulletit figuron në lidhje me kompaninë “GFI Technologies”, e themeluar në maj të vitit 2013.
E njëjta kompani del në skenë si fituese e koncesionit të markimit të karburanteve në mes të po atij viti.
“GFI Albania”, nëpërmjet një kontrate 10- vjeçare me vlerë 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën në përputhje me qëllimin e përdorimit, me synim eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund shmangien e taksave.
Koncesioni është dhënë në javët e fundit të qeverisë “Berisha”.
Pikërisht në këtë kohë rezulton që ajo të jetë regjistruar edhe në Panama pranë studios “Mossack Fonseca”, të cilës i kanë rrjedhur mbi 11 milionë e-maile konfidenciale që pritet të zbulojnë edhe emra të tjerë, pas atyre të disa prej njerëzve më të pushtetshëm e më të pasur të botës. (shekulli)