Në Shqipëri, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendoi sot të mos pranojë regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar zotin Lulzim Basha, si pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Sipas zotit Celibashi, kërkesa për t’u regjistruar nuk ka bazë ligjore e nuk duhet të pranohet, duke sjellë në vëmendje çështjen e ngritur prej tij dhe në seancën e parë të datës 9 mars, lidhur me deklaratën solemne që çdo parti paraqet mes dokumentacionit të kërkuar për rregjistrim. Deklarata nga ana e Partisë Demokratike është e firmosur nga zoti Enkelejd Alibeaj, si person i autorizuar nga zoti Basha, tre ditë përpara dorëheqjes së tij në mars të vitit të kaluar.
Zoti Basha rezulton ende si kryetar i PD-së në rregjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës. Dhe për këtë arsye, sipas zotit Celibashi, duhet që të jetë ai që ta nënshkruajë, duke nënvizuar se ky është një përcaktim ligjor që nuk mund të delegohet.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Indrit Sefa e kundërshtoi vendimin e marrë sot nga zoti Celibashi, duke folur për një akt politik. Vendimi i Komisionerit shtetëror, është megjithatë i apelueshëm. Ndaj tij, Partia Demokratike njoftoi se do të bëjë ankim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, ndërsa fjala e fundit, në çdo rast, i takon Kolegjit zgjedhor.
Edhe zoti Gazmend Bardhi, që po ashtu ka autorizimin e zotit Basha reagi ashpër ndaj vendimit të zotit Celibashi i cili sips tij “shkeli rëndë ligjin, për qëllime politike”, shkroi ai në një postim në Twitter, i pasuar nga një i dytë ku e akuzon Komisionerin shtetëror se është kthyer në “zëdhënës të interesave politike” dhe se është “një njeri I shantazhueshëm që nuk ka lidhje me ligjin dhe me zgjedhjet”.
Ndërsa për zotin Alibeaj “vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit”, shkroi ai në një postim në Facebook.
voa