Krichbaum: „Shqipëria aktualisht shumë larg fillimit të bisedimeve për anëtarësimin”

Deputeti gjerman dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, në një intervistë për Deutsche Welle e sheh dekriminalizimin si çështje kyç për ecjen përpara me procesin e integrimit.

Deputeti gjerman KrichbaumKreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum

Deutsche Welle: Z. Krichbaum, kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha vizitoi më 1 tetor Berlinin, ishte kjo një vizitë e planifikuar apo një reagim i zhvillimeve të ndezua kohët e fundit në Shqipëri?

Gunther Krichbaum: Vizita e Lulzim Bashës ishte e dyta brenda këtij viti në Gjermani. Ishte një vizitë e planifikuar kohë më parë, por natyrisht u prekën ngjarjet më të fundit në Shqipëri. Kemi folur hollësisht për valën e refugjatëve nga Shqipëria në Gjermani, e cila na preokupon mjaft neve këtu. Asnjë refugjat shqiptar nuk ka shans që t’i njihet azili, çdokush që merr rrugën drejt Gjermanisë duhet ta dijë, se ky udhëtim nuk do të kurorëzohet me sukses, dhe se se ai do të kthehet. Prandaj është detyra më e rëndësishme e qeverisë shqiptare t’i ofrojë popullatës perspektiva jetese në Shqipëri.

Cila është ndihma që presin demokratët shqiptarë nga një parti konservatore, dhe çfarë mund të bëjnë kristiandemokratët për partinë simotër që nuk arriti rezultate edhe aq të larta në zgjedhje së fundmi?

Më lejoni një ndërhyrje: CDU nuk është thjesht një parti konservatore, por një parti e qendrës, që ka rrënjë kristiandemokrate, konservatore dhe liberale. Së bashku me partitë e tjera të djathta e të qendrës në Europë, partive popullore europiane ne e mbështesim Partinë Demokratike me përvojën tonë. Këtë sigurisht ne nuk e lidhim me rezultate aktuale zgjedhore, sepse në demokraci një ngritje e rënie në zgjedhje është plotësisht normale.

Z. Krichbaum, procesi i dekriminalizimit në politikë është iniciuar prej muajsh në Shqipëri ai u ngrit nga opozita- megjithëse ajo nuk përfitoi shumë nga kjo në zgjedhjet e fundit- por procesi ende nuk është mbyllur, kjo do të thotë se elementë me të shkuar kriminale ende mbajnë poste, si e shikoni këtë?

Për ne është një kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit që politika shqiptare të dekriminalizohet. Në këtë pikë Partia Demokratike ka bërë propozime të mira dhe unë shpresoj shumë që më në fund të kemi ujdinë mes qeverisë dhe opozitës. Por më lejoni të them hapur diçka lidhur me zgjedhjet vendore: Ato çfarë raportohen mbi zgjedhjet nga ODIHR-i, qendra e zgjedhjeve të OSBE-së janë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian tërësisht të papranueshme.

Reforma në drejtësi po ashtu mbetet ende një çështje e hapur në Shqipëri. Opozita dhe qeveria grinden për reformën dhe kompromisi ende nuk është gjetur. A kishit ju këshilla për demokratët në mënyrë që reforma të marrë formën ligjore?

Ndërkohë ka shenja bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës në këtë çështje. Por miratimi i ligjeve është vetëm hapi i parë. Akoma më e rëndësishme është që këto ligje të jetësohen. Prandaj tani është shumë e rëndësishme eficienca e administratës, reforma në drejtësi dhe luftimi i vendosur i korrupsionit.

Skandalet korruptive në Shqipëri janë bërë si të zakonshme, skandali i radhës prek aferën e CEZ, që me gjasë i ka sjellë shtetit shqiptar shumë humbje. Opozita kërkon hetim ndërkombëtar për zbardhjen e aferës. Si mendoni ju?

Duke pasur parasysh situatën e ndezur politike në Shqipëri, unë e shoh si një propozim shumë të mirë pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtare për zbardhjen e kësaj afere. Kjo sigurisht do të rriste besueshmërinë dhe pranueshmërinë e rezultateve të hetimit.

Progresraporti i Komisionit Europian për vendet kandidate pritet të publikohet pas dy javësh. Çfarë raporti prisni këtë herë për Shqipërinë dhe a është vendi gati për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit?

Bundestagu duhet të japë miratimin e tij para fillimit të bisedimeve të anëtarësimit. Ne në Komisionin e Bundestagut për Europën do të ndjekim me shumë vëmendje se çfarë përparimesh janë bërë në drejtim të dekriminalizimit të politikës, reformës në drejtësi, luftimit të korrupsionit dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Por aktualisht Shqipëria, jo vetëm për shkak të parregullsive në zgjedhjet e fundit vendore, ndodhet ende shumë larg fillimit të bisedimeve të anëtarësimit për në BE. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>