Letra drejtuar shqiptarëve e Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn duket sikur mbyll çdo shteg për negociatë mes palëve, legjitimon 18 qershorin si ditën e zgjedhjeve edhe pa opozitën dhe i kërkon asaj të mos pengojë shqiptarët që të votojnë.
Letra është e shkurtër dhe fjalitë e Komisionerit janë të qarta dhe nuk lënë vend për hamendësime pas dështimit të negociatave të fundit.
“U ofruan disa opsione me shpresën se partitë dhe drejtuesit do të ishin në lartësinë e përgjegjësisë së tyre për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Fatkeqësisht, nuk ishte ky rasti. Prandaj sot, jemi në një situatë ku procesi elektoral i 18 Qershorit është vënë në lëvizje. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës”, thotë Komisioneri në letrën e tij.
10 ditë më parë, Johannes Hahn i qendrës së djathtë europiane, bashkë Presidentin e PPE-së Josef Daul bënë përpjekjen e fundit me grupin parlamentar të Partisë Demokratike në një videokonferencë për t’i informuar se qëndrimi i opozitës për bojkotin e Parlamentit dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje nuk përkrahet nga Europa.
Por për herë të parë, një zyrtar i lartë i Komisionit Europian thotë se ky vendim nuk ishte i rastësishëm.
“Ishte një zgjedhje e paramenduar nga opozita aktuale për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Më duhet ta respektoj këtë, por në të njëjtën kohë, nga pikëpamja demokratike, shpreh keqardhjen time të thellë për këtë vendim. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë ofertë të gjerë politike dhe u përmbahen standardeve. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe pse disa vendosin të mbeten pas”, thotë Hahn.
Me bindjen se demokracia dhe standardet demokratike nuk duhet të pengohen nga bojkoti, Komisioneri për Zgjerimin ka diçka për të thënë edhe për deklaratat se opozita nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve më 18 qershor.
“Dënoj me forcë çdo deklaratë që bën thirrje për “veprime” që do të minonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liri të tjera themelore. të tilla “veprime” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë të pajtueshme me standardet e Bashkimit Europian”, thotë ai.
Duke e cilësuar mosmbajtjen e zgjedhjeve në Kavajë si një humbje për demokracinë, Johannes Hahn, ka një mesazh për politikanët dhe një për popullin shqiptar.
“Le të jemi të qartë: Drejtuesit do të mbajnë përgjegjësi nëse ata përpiqen të pengojnë aspiratat legjitime të shqiptarëve për një të ardhme më të mirë.
BE do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin elektoral dhe ç’është më e rëndësishme: ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, mbyll letrën e tij të pazakontë Komisioneri i Zgjerimit.
Letra e plotë Johannes Hahn:
Të dashur qytetarë të Shqipërisë! Të dashur miq! Ju drejtohem sot me shqetësim të madh. Javët e fundit kemi bërë disa përpjekje për të promovuar dialogun mes partive politike në Shqipëri, përpjekje të përfaqësuesve të BE-së, unë i përfshirë dhe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Kemi dëgjuar me vëmendje të gjitha shqetësimet e palëve dhe njëkohësisht jemi përpjekur të lehtësojmë dialogun për daljen nga kriza. Për këtë u ofruan disa propozime, me shpresën se udhëheqësit e partive do të binin dakort për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.
Fatkeqësisht nuk patëm marrëveshje. Ndaj sot jemi në një situatë kur përgatitjet për zgjedhjet e 18 qershorit vazhdojnë dhe zgjedhjet do të mbahen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.
Bojkoti ishte një zgjedhje e opozitës. Unë e respektoj këtë zgjedhje, por njëkohësisht ndjej keqardhje për këtë vendim të saj. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe me standarde. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse dikush vendos që të qëndrojë pas.
Demokracia dhe standardet e saj nuk mund të pengohen nga bojkotimi i institucioneve dhe i zgjedhjeve. Këto të fundit do të vlerësohen në bazë të meritës dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Institucioni më kompetent europian për vëzhgimin e zgjedhjeve, ODIHR, së fundmi nisi misionin vëzhgues në Shqipëri. Ne jo vetëm e mbështesim fuqimisht këtë, por presim nga gjitha institucionet shqiptare që të garantojnë një bashkëpunim të plotë dhe transparent me këtë mision, si gjatë fushatës, ashtu edhe në ditën zgjedhjeve. Është në interesin e Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare që OSBE/ODIHR dhe vëzhguesve të tjerë ndërkombëtare t’u krijohen të gjitha kushtet për kryerjen e misionit të tyre vëzhgues.
Prandaj, më lejoni që të tregohem i qartë; dënojmë fuqimisht çdo thirrje për “aksione” që do të minojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe të drejta të tjera themelore. Këto “aksione” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Është thelbësore për vlerat europiane, që të idetë dhe propozimet politike, pavarësisht nëse ju pëlqejnë apo jo, të diskutohen brenda institucioneve demokratike, sidomos në Parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politik të të gjitha palëve në vendin tuaj.
Në këtë këndvështrim, me lejoni të them një gjë: fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk u zhvilluan, nuk është fitore për askënd; është një humbje për demokracinë.
Kam besim të plotë se qytetarët shqiptarë do të kërkojnë prej udhëheqësve të tyre politike që të tregojnë përmbajtje dhe maturi në një vend që shpreson të jetë anëtar i Bashkimit Europian.
Të jemi të qartë, udhëheqësit do të jenë përgjegjës nëse përpiqen të minojnë aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.
Bashkimi Europian do të ndjekë dhe monitorojë nga afër procesin zgjedhor dhe më kryesorja, do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE.
/ Top Channel