Prej tre javësh, në Shkodër vazhdojnë përmbytjet e shkaktuara nga vërshimi i lumejve dhe shkarkimet e detyruara të hidrocentraleve të kaskades së Drinit. Rreth 5 mijë hektare tokë gjenden nën ujë, ndërsa gati 500 shtëpi dhe biznese janë të rrethuara nga përmbytja. Përmbytjet kanë vështirësuar jetesën e rreth 40 mijë banorëve, që jetojnë në fshatrat e Nënshkodrës dhe në lagjet periferike të qytetit, ku niveli i ujrave të përmbytjes ka arritur deri në një metër e gjysëm lartësi. Forcat e ushtrisë dhe ato të njësive vendore të bashkisë po vazhdojnë shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe ujit të pishëm për banorët, pasi ujësjellësit e fshatrave të Nënshkodrës janë jashtë funksionit për shkak të përmbytjes, ndërsa burimet ujore të banorëve tashmë janë të papërdorshme.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, thotë se sot, situata e përmbytjeve në Shkodër është e vështirë edhe për shkak të motit dhe se banorët kanë nevojë ekstreme për siguri, evakuim dhe shpërndarje të ujit të pishëm dhe ndihmave ushqimore. Zonja Ademi thotë se, prej më shumë se dy javësh, ka dhënë alarmin për problemet në argjinaturat e Nënshkodrës, për mbrojtjen e të cilave janë mobilizuar banorët vendas. (voa)