Kryeministri Edi Rama takohet me drejtuesit e Parlamentit dhe Komisionit Europian

Rama MogheriniKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po zhvillon një vizitë dyditore në Bruksel, ku u takua me drejtuesit kryesorë të Parlamentit dhe Komisionit Europian.

Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, tha se trajtuan temat kryesore që lidhen me qëndrueshmërinë e Ballkanit, luftën kundër terrorizmit, dialogun ndërfetar dhe raportet midis Shqipërisë dhe BE.

“Shqipëria kryer një seri reformash në dobi të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si reforma në drejtësi, e cila ka një rëndësi shumë të madhe” – tha ai.

Sipas tij, Shqipëria në vitet e ardhshme do të jetë një anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Europian, me vende të reja pune, me zhvillim dhe punësim, sipërmarrje të përbashkëta, kompani të mëdha, të mesme e të vogla anembanë vendit.

“Tek Shqipëria kemi besim të madh, duam të përforcojmë lidhjet e bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe BE-së, në rrugëtimin e çeljeve të negociatave të anëtarësimit” – tha zoti Tajani.

Kryeministri Rama tha se mund të flasë me fakte dhe me rezultate për të hapur negociatat me Europën.

“Shqipëria sot mund të dëshmojë që ka hedhur hapa përpara e do të vijojë me të njëjtën vendosmëri për të arritur në prill e maj gjithçka të nevojshme për në tryezën e negociatave me Europën” – tha ai.

Të njëjtën vendosmëri për fillimin e negociatave të anëtarësimit zoti Rama e shprehu edhe në takimin me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

“Shqipëria është në një çast të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së. Ajo ka bërë një punë të jashtëzakonshme, veçanërisht me reformën e drejtësisë, luftën kundër drogës dhe korrupsionit. Për këtë ne e mbështesim e duhet të vazhdojë përpara në mënyrë që të hapë rrugën e procesit të integrimit në BE” – tha ajo.

Kryeministri Rama u takua në Bruksel ditën e parë të vizitës me Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk.

Zoti Rama i shprehu mirënjohjen si një ndër mbështetësit më të mëdhenj të përafrimit të Ballkanit dhe të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Ndërsa zoti Tusk tha se bashkëpunimi dhe bisedimet do të jenë si gjithmonë të hapura dhe të sinqerta.

“Keni vetëm miq këtu në Bruksel, ndoshta jo në çdo kryeqytet, por këtu në Këshillin Europian mund të jeni të sigurt në mbështetjen tonë për përpjekjet tuaja. Ne e vlerësojmë vërtet procesin tuaj të thellë dhe mjaft të guximshëm të reformave. Ju jeni një nga shembujt më të mirë në rajon të kësaj ambicieje europiane dhe të kësaj ëndrre evropiane” tha zoti Tusk. (voa)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>