Kryeministri i Bavarisë: Hapim për Shqipërinë dyert e ekonomisë bavareze

Markus Söder Edi RamaKryeministri i Landit Federal të Bavarisë, Markus Söder, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Nënshkruhet një Deklaratë e Përbashkët për bashkëpunim në disa fusha.

 

 

Në konferencën e përbashkët për shtyp (13.02.2023) mes kryeministrit të landit federal të Bavarisë, Markus Söder dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, u bë e ditur se ata nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët për bashkëpunim në ekonomi, drejtësi, teknologji dhe ngritjen e një komisioni të përbashkët qeveritar në të dyja vendet për këtë qëllim.

Kryeministri bavarez Söder foli në Tiranë për forcim të marrëdhënieve të miqësisë dhe fqinjësisë me vendet e Europës Jug-Lindore dhe solli shpresa për përshpejtim të procesit të hyrjes në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, (BP ) mes tyre edhe Shqipëria.

“Kemi ndjesinë që në Europë ka boshte të tjera, shumë pak shihet drejt Europës Juglindore, drejt fqinjëve të drejtpërdrejtë, në mënyrë që të përforcohen ndjenjat e miqësisë dhe të fqinjësisë. Europa do të jetë e fortë vetëm nëse këto marrëdhënie përforcohen. Duhet ta bashkojmë sa më fortë të jetë e mundur Europën tonë. Ky bashkim është shumë i rëndësishëm edhe për Ballkanin Perëndimor”, tha në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri i Landit Federal të Bavarisë, Markus Söder duke lënë të kuptohet aspiratën e vendeve të BP për të hyrë në BE.

Ai solli në vëmendje lidhjen historike të Bavarisë me Shqipërinë që prej vizitës së parë misterioze në 1984 në kohën e diktaturës komuniste, të kryeministrit të atëhershëm bavarez, Franz Jozef Strauss, kryetar i Unionit Kristian-Social të Gjermanisë që hapi rrugën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë së atëhershme komuniste dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

“Ne  e shikojmë veten si hapës të dyerve, si fqinj, si ura lidhëse”, theksoi kryeministri bavarez Markus Söder.

Soder: Hapim dyert e ekonomisë bavareze për Shqipërinë

Me këto fjalë kryeministri bavarez, Markus Söder prezantoi qëllimin e vizitës së tij të planifikuar në Tiranë dhe lajmin për ngritjen e zyrës së zhvillimit të sipërmarrjeve bavarezë në Shqipëri. “Ekonomia dhe sipërmarrjet bavareze do të hapin në Shqipëri  një zyrë kontaktesh, që do të funksionojë në të dyja drejtimet, nga Bavaria në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas. Do të kemi mbështetjen e investimeve nga Bavaria në Shqipëri dhe nga ana tjetër mbështetjen e kualifikimeve të fuqisë punëtore në Shqipëri. Njerëzit nga Shqipëria mund të vijnë dhe të punojnë në Bavari në profesione të ndryshme. Është një situatë përfitimi nga të dyja palët”, tha kryeministri Söder në Tiranë.

Kryeminisri i Shqipërisë, Rama e vlerësoi ngritjen e zyrës së sipërpërmendur si “një kthesë të rëndësishme, një nivel tjetër në marrëdhëniet shumë të mira mes Bavarisë dhe Shqipërisë, si një ekuilibër ku të dyja palët përfitojnë, si një marrveshje win-win.”

“Kjo zyrë do t’i shërbejë thithjes së më shumë investimeve nga Bavaria por edhe lidhjes, njohjes më të afërt të të gjithë mënyrës së zhvillimit të sipërmarrjes me përfitueshmëri për të dyja vendet”, tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp.

Kryeministri bavarezMarkus Söder foli për bashkëpunim në bujqësi, arsim, polici por edhe kulturë. “Ne e pranojmë ofertën e Shqipërisë për të ngritur këtu një shtëpi bavareze, me kulturë bavareze”, tha Söder

Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike për kryeministrin bavarez Söder

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryeministri bavarez, MarkusSöder u nderua me këtë medalje të lartë nga kryeministri Rama për “mbështetjen e veçantë të treguar ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor duke mos kursyer asnjë përpjekje për të konsoliduar proceset integruese, për kontributin dhe përkushtimin në forcimin e marrdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Bavarisë dhe Shqipërisë.” Kryeministri Rama, në fjalën e mbajtur me rastin e dhënies së medaljes, e vlerësoi Franz Josef Strauss si një personalitet “legjendar, si babain e Bavarisë moderne”.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>