Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe drejtoresha e Tatimeve Brisida Shehaj, së bashku me drejtorin e komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga kanë nisur sot në terren aksionin kundër informalitetit.
“Marrja e kuponit tatimor nga qytetarët është një detyrim patriotik”, tha Rama teksa konsumoi një kafe së bashku me Shehajn dhe Fugën, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.
Më pas kryeministri shtoi: “Merrni kuponin tatimor sepse shqiptarët, nga konsumimi i 1 milion kafeve, humbin 61 milionë dollarë”.
“Dua shumë thjesht të shpjegoj që e gjithë përpjekja për ta përshkruar këtë operacion historik si një operacion kundër të vegjëlve është një përpjekje sa injorante, aq edhe hileqare ose të dyja bashkë. Sepse, në fakt, duke marrë kuponin tatimor ne mbyllim shtegun për evazionin e të mëdhenjve”, tha Rama
“Është shumë e thjeshtë dhe për këtë arsye marrja e kuponit tatimor është sot një detyrim patriotik për të dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë, që financat tona publike të fuqizohen, ashtu siç nuk e imagjinojmë dot sot, dhe pastaj ne të kemi mundësi që të bëjmë shumë më tepër investime, për shkolla, kopshte, çerdhe, infrastrukturë dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe mbi të gjitha kemi mundësi të ulim taksat dhe të rrisim rrogat për të gjithë”, tha Rama pasi pagoi dhe mori kuponin tatimor.
Më pas kryeministri shpjegon rëndësinë e tërheqjes së kuponit duke e ilustruar me këto shifra: “Faktikisht, nëse në Shqipëri sot po marrim një mesatare shumë të thjeshtë, pihen 1 milionë kafe dhe shishe uji në ditë dhe marrim një çmim shumë mesatar, me ulje, një mijë lekë (të vjetra), e dini sesa është shuma që shkon në drejtim të paditur në vend që të shkojë në Arkën e Shtetit, për t’iu kthyer individit si qytetar në formën e investimeve dhe të shërbimeve? Është 61 milionë dollarë vetëm nga kjo. Ku shkojnë këto 61 milionë dollarë? Këto shkojnë në drejtim të paditur dhe janë evazioni i madh, nuk janë thjesht e vetëm evazioni i vogël i kafes. Nga ana tjetër, edhe vetë të vegjlit kanë një interes në këtë rast që ta japin kuponin, sepse ulin barrën në të cilën përfshihen praktikisht bashkë me qytetarin për shkak të të mëdhenjve. Mirëpo duke ardhur tek pika fundore, ne praktikisht bllokojmë prurjet që vijnë nga burimet e mëdha të evazionit që janë kompanitë e mëdha, që janë furnizuesit e mëdhenj, që janë ata që tregtojnë me shumicë mallrat e vlerës, apo mallrat e konsumit të përgjithshëm”.
/Shekulli Online/