Kryeprokurori, çfarë do të ndodhë pas së enjtes?!

Top storyNga dita e enjte, Kryeprokurorit të Republikës i mbaron formalisht mandati. Këtu është edhe debati, që është sa juridik dhe kushtetuese, po aq politik. A do të vazhdojë apo jo Adriatik Llalla në detyrën e tij? A do kërkojë mazhoranca ta zëvendësojë atë, me kë dhe për sa kohë?

Sipas Reformës në Drejtësi, institucionet që duhet ta zgjedhë Kryeprokurorin e ri nuk janë ngritur akoma. Natyrisht edhe te pika e zëvendësimit apo jo është dilema që duhet të zgjidhet me 3/5 apo me shumicë të thjeshtë.

Për këtë në “Top Story” janë ftuar Theodhori Sollaku, ish-Kryeprokuror; Çlirim Gjata, konstitucionalist; Arian Vasjari, analist; Roland Lami, jurist.

Për ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku, mandati i Llallës përfundon dhe kjo nuk ka edhe shumë vend për diskutim, por për të problemi është zgjedhja e Kryeprokurorit të përkohshëm, që do të mbajë detyrën deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që do të zgjidhte Prokurorin e ri të Përgjithshëm, duke theksuar se duhet një votim me 3/5 në Kuvend.

“Ka një debat lidhur me kohëzgjatjen e mandatit dhe zgjedhjen e të riut. Ndërhyrje e sforcuar e ligjit përkatës për zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm. Kuvendi organi kompetent për emërimin e Kryeprokurorit të përkohshëm. Nëse dikush ka pretendime shkohet tek Gjykata Kushtetuese. Për të vajtur në Gjykatën Kushtetuese duhet marrë vendimi nga Kuvendi. Problemi është se çfarë shumice duhet në Kuvend. Ai mbetet Kryeprokurorit, edhe pse i përkohshëm, prandaj për vlerësimin tim duhet një shumicë prej 3/5. Mandati i Llallës ka përfunduar, nuk ka as nga opozita ndonjë pretendim për këtë”, u shpreh Theodhori Sollaku.

Për juristin Roland Lami, nëse i ka mbaruar apo jo mandati Adriatik Llallës është një çështje e mirëfilltë Kushtetuese, e nuk ka vend për interpretim, duke theksuar se kjo i jep të drejtën mazhorancës që të zgjedhë një Kryeprokuror të përkohshëm.

“Do ishte shumë mirë që të ishte një debat mes ekspertëve të ligjit e konstitucionalistët. Ndërsa aktorët politikë, qoftë duke e mbrojtur, qoftë duke sulmuar, duhet të ishin të distancuar nga ky debat. Nëse do t’i referohemi bilancit të këtij Kryeprokuror do të mbahet mend për premtimi, jo për realizimi. Është lehtësisht i atakueshëm nga pikëpamja e eficencës në krye të Prokurorisë. E gjitha duket si një parodi me justifikimin se kanë një sensibilitet në aspektin juridik, por po të shohësh historinë, kupton se nuk janë aspak seriozë”, thotë më tej ai.

Për Arjan Vasjarin nuk ka asnjë dispozitë ligjore që të thotë se Kryeprokurori i përkohshëm të zgjidhet me tre të pestat.

“Kushtetuta aktuale është e qartë, Prokurori i ri ka një mandat 7-vjeçar, zgjidhet me 3 të 5. Dy elementë e përjashtojnë zotin Llalla. Kushtetuta aktuale i referohet prokurorit se si duhet të jetë, si duhet të zgjidhet dhe asnjëherë prokurorit aktual. Në nenin 179 përcaktohet mandati i gjykatësve aktual të Gjykatës Kushtetuese, e të tjerë, por nuk preket fare Prokurori i Përgjithshëm aktual sepse këtë çështje e trajton vetëm ligji 97. Në asnjë nën nuk është përcaktuar që prokurori i përkohshëm duhet të zgjidhet me tre të pastat, por që është shumë e nevojshme që palët të respektojnë frymën e kushtetutës, të ndryshimeve që bënë në korrik të vitit 2016. Debati politik ka sens të zhvillohet këtu”, tha Vasjari.

Sa i përket mbarimit të mandatit të Prokurorit, Çlirim Gjatën u shpreh se ai shpallet vetëm me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe jo nga Parlamenti.

“Thelbi ka qenë që politika të mos fuste duart në organet e drejtësisë. Në jemi gjeni me gjërat e vogla dhe me to ja hedhim edhe ndërkombëtarëve. E gjithë reforma në drejtësi është përplasur me nenin 73 të Kushtetutës, në fund do të shkosh t’u kërkosh leje deputetëve. Aftësia e politikës tonë për ta hedhur për gjëra të vogla është problemi. Çfarë do të thotë dispozitë kalimtare përdoret vetëm në një kallëzues. A e kemi ne këtë rast? Këtu qëndron çështja. Dispozita thotë që të jetë ndërprerë para afatit dhe të mos kemi KLP. Dispozita nuk ka rast dhe nuk hyn në këtë gjë. Kushtetuta ka përcaktuar proceduarat e saj. Mbarimin e mandatit e shpall me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe ky nuk është numër. Por kush e përcakton mbarimin e mandatit dhe këtë nuk e përcakton Parlamenti. Ai do të qëndrojë sa të krijohet KLP që të deklarojë mbarimin mandatit”, tha Gjata.

Sollaku thotë se heshtja e palëve politike justifikohet me fakti se tashmë Prokurori i Përgjithshëm nuk është më një figurë e fortë.

“Si nga mazhoranca dhe nga opozita ka një heshtje totale. Sot Prokurori i Përgjithshëm është një prokurori i zakonshëm, me ndryshimet e fundit”, thotë Sollaku.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>