Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ministerialin rajonal për ekstremizmin e dhunshëm, foli për çështjen e Kumanovës, duke e konsideruar si një çështje që nuk kishte lidhje me terrorizmin, por me mungesën e demokracisë.
“Fatkeqësisht, në Kumanovë, fjala terrorizëm dhe shqiptar u bënë bashkë. Iu dha terrorizmit një prapashtesë etnike dhe kjo është e papranueshme, për ne dhe për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritetet maqedonase duhet ta kenë të qartë që shqiptarët kanë qenë dhe janë një faktor i rëndësishëm shtetformues në Maqedoni. Nuk duhet përzier termi terrorist në trajtimin e çështjeve që nuk kanë të bëjnë me terrorizmin, por demokracinë”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se është “e patolerueshme mungesa e transparencës dhe drejtësisë për terrorin që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës”.
/ Top Channel