Këshilli i Ministrave të BE-së, vendosi në një video-konferencë të zhvilluar të martën në mesditë që të japë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Këshilli i Ministrave të BE-së, vendosi në një video-konferencë të zhvilluar të martën në mesditë që të japë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kushte të reja për Shqipërinë
Për Tiranën, sipas informacioneve të DW, janë shtuar kushtet:
“Para konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODHIR, duke siguruar financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare, përfshirë edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe të përmbyllë krijimin e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria gjithashtu duhet të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe përmes bashkëpunimit me Shtetet anëtare të BE-së dhe përmes planit të veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Force të Veprimit Financiar (FATF). Trajtimi i aplikimeve të pabazuara për azil dhe sigurimi i riatdhesimeve dhe ndryshimi i ligjit të medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbeten prioritete të rëndësishme. Komisioni do të sigurojë një raport mbi këto çështje, përfshirë progresin në lidhje me rekordin, kur prezanton kornizën e bisedimeve”, thuhet ndër të tjera në draftin e konkluzioneve, që do t’u paraqitet të enjten kryetarëve të qeverive dhe të shteteve të BE-së, një kopje të të cilit e ka edhe DW.
Urime nga shume anë
Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, u shpreh entuziast menjëherë pas video-konferencës.
Lajm i mirë në këto kohë të zymta: më në fund drita jeshile në video-konferencën e sotme të Këshillit të Ministrave për Evropën për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE me miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Fitore për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor. Urime Tiranës dhe Shkupit, ka shkruar në twitter ministri gjerman i Evropës.
Edhe komisari i zgjerimit, Olivér Várhelyi, u tregua i kënaqur me rezultatin, “Përgëzoj me gjithë zemër të dy vendet. I dërgojmë një mesazh të qartë dhe të fortë Ballkanit Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkroi ai përmes twitterit.
dw