Nëntetarja shqiptare Zarife Hasanaj, pjesë e kontingjetin të Forcave të Armatosura shqiptare që merr pjesë në misionin e NATO-s “Enhanced Forward Presence” në Letoni, humbi jetën sot paradite gjatë një stërvite që po zhvillohej në bazën e Aleancës. Nëntetarja Hasanaj, 32 vjeç, u plagos për vdekje nga shpërthimi i disa municioneve, ndërkohë që plagë kanë marrë dhe Majori Klodian Tanushi, komandant i kontingjentit shqiptar, si dhe Rreshteri Julian Kapaj.
Efektivët e ushtrisë shqiptare kishin si detyrë bonifikimin e një zone ku një ditë më parë ishte kryer stërvitje me të shtëna artilerie. Mësohet se ata kanë hasur në disa predha të paplasura, njëra prej të cilave ka shpërthyer. Rrethanat, edhe sipas komandantit të Nato-së në bazë, janë ende të paqarta.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Bardhyl Kollcaku, shpjegoi se “sipas informacioneve të deritanishme Major Tanushi dhe Rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni”. Nga dy të plagosurit, njëri mësohet se është në gjendje të rëndë. Zoti Kollçaku shtoi se “për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve tanë në mision”, ndërsa shprehur “ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares Hasanaj që humbi jetën në krye të detyrës”.
Presidenti Ilir Meta deklaroi se kishte mësuar me “hidhërim të thellë” ngjarjen, duke shprehur “ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të Forcave të Armatosura në Letoni”. Ai theksoi se “po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj”.
Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama shkruan: “Dhimbje e respekt i thellë për efektivin e Forcave tē Armatosura, Zafire Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni, ku u plagosën dhe dy efektivë të tjerë! Ngushëllime familjes, të afërmve e miqve të Zafires dhe qoftë i përjetshëm kujtimi i saj”.
Ndërsa ministrja e Mborjtjes Olta Xhaçka shprehet se “në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës sonëe do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe. Respekt dhe mirënjohje pa fund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj”, shkruan ministrja Xhaçka ndërsa i uron shërim të shpejtë dy efektivëve të plagosur.
voa