Në Shqipëri, kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku firmosi sot lëvizjet në drejtimin e prokurorive në 4 qytete të vendit, Elbasan, Fier, Kukës dhe Durrës. Bëhet fjalë për drejtues të cilët mbanin këto poste si të komanduar, dhe jo të emëruar, gjë që do e bënte të pamundur lëvizjen e tyre, me ligjin e ri të Prokurorisë, i cili ja njeh këtë të drejtë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organ i cili nuk është ngritur ende.
Megjithatë, vendimet e kryeprokurores Marku, kanë hasur në rezistencën e disa drejtuesve të prekur. Të paktën Dritan Gina, i komanduar në Elbasan dhe Agron Gjana në Durrës e kanë kundërshtuar publikisht. Gina është shprehur se nuk do t’i bindet një urdhëri të paligjshëm dhe se me të marrë në dorë shkresën e vendimit do të bëjë padi në Gjykatën administrative.
Më herët, dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi, ishte spostuar nga posti i drejtores së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe e njësisë së dekriminalizimit, në Prokurorinë e Përgjithshme, duke u emëruar prokurore pranë sektorit të dekriminalizimit. Gashi njoftoi sot se është ankuar për vendimin e kryeprokurores pranë Gjykatës administrative, duke e konsideruar atë në shkelje të ligjit.
Nga ana e saj Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se lëvizjet janë bërë në kuadër të “riorganizimit, mirëfunksionimit të organit të akuzës, rritjes së performancës dhe besueshmërisë së publikut te ky institucion”.
Zonja Marku u emërua në krye të Prokurorisë së Përgjithshme me një mandat të përkohshëm, në fund të muajit të shkuar, me votat e shumicës së majtë. Opozita kundërshtoi me forcë procedurën e ndjekur duke këmbëngulur se sipas saj, ajo ishte në shkelje të Kushtetutës së vendit. (voa)