Prokuroria e Përgjithshme publikoi sot një seri prej 13 sekuestrimesh deri në 45 milionë euro të pronave të paligjshme sipas ligjit antimafia, që ka kryer në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Në dokumentin e prokurorisë renditen pasuri nga më të larmishmet; llogari bankare dhe aksione nëpër kompani private, toka bujqësore dhe troje, hotele dhe pallate shumëkatësh, vila dhe apartamente, komplekse tregtare dhe pika karburanti në të gjithë territorin e vendit nga bregdeti deri në qytetet e mëdha.
Po ashtu prokuroria zbuloi 60 milionë euro përfitime të paligjshme nga 6 skema financiare mashtruese në tregjet e karburanteve, farmacive, konçensioneve, ndërtimeve dhe lojërave të fatit.
Me këto shifra mbi krimin ekonomik prokuroria po tregon rezultatet ndaj krimit të organizuar, ndonëse të gjitha rastet janë cështje hetimore të nivelit të ulët.
Prokuroria shqiptare është kritikuar shpesh megjithatë për vonesa në hetime, për mosveprim në ngjarje që lidhen me nivele të larta të pushtetit.
Drejtues të saj kanë deklaruar disa herë se po përgatitin arrestime të zyrtarëve të lartë, por ato nuk kanë ndodhur.
Politikanë kryesorë janë shprehur se prokuroria është bërë pjesë e kulturës së mosndëshkimit të krimit, i cili është futur në shumë institucione dhe fusha të jetës së vendit.
Pritshmëria ndaj organit të akuzës është e lartë për shkak të korrupsionit në administratë, krime të reja dhe të vjetra, që rëndojnë opinionin publik, që mbeten sfida shumëvjeçare për hetuesit sepse dyshohet që në to janë përzier politikanë dhe zyrtarë të njohur në vend.
Bashkë me reformimin e prokurorisë, ashtu si viti i kaluar, reforma në drejtësi është kryefjala e politikës edhe për vitin e ri.
Takimi i parë mes grupeve kryesore politike mbahet sot pikërisht për reformën në drejtësi.
Larg kamerave të medias, ekspertët e nivelit të lartë dhe përfaqësues partiakë nisn sot shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Reforma në drejtësi shihet si sfida kryesore nga socialistët në pushtet dhe nga demokratët e opozitës.
Kryeministri Rama deklaroi në konferencën e fundit të vitit se reforma në drejtësi duhet të sjellë një tërmet nga themelet në sistemin gjyqësor shqiptar, dhe pas kësaj do të nisë ristrukturimi i një gjykate profesionale, që bën drejtësi për qytetarët e thjeshtë.
Sipas tij, zvarritjet shumëvjeçare të proceseve gjyqësore dhe rryshfetet në çdo nivel të sistemit të drejtësisë kanë dërrmuar besimin e opinionit publik tek gjykatat.
Miratimi i shpejtë i kësaj reforme me mirëkuptim dhe gjithëpërfshirje pritet t’i hapë rrugën zbatimit të saj pas disa muajsh deri në pranverë. (voa)