Ligji i ri, bastet sportive 200 m larg shkollave. Kundërshton PD: Krijon monopole

Shumë prej atyre që kanë një pikë bastesh sportive mund t’u duhet ta mbyllin. Komisioni i Ekonomisë po diskuton një ligj, i cili nuk lejon asnjë pikë basti sportiv në një distancë prej 200 metrash nga shkollat, kishat apo xhamitë.

“A e dini se në një qytet që ka dy shkolla, një kishë dhe një xhami, i bie që nuk duhet të ngrihet asnjë pikë lojërash fati të këtij lloji, sepse aq është qyteti? Nga 15 deri në 200 metra është tepër kufizuese dhe shtrënguese”, tha ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Mazhoranca thotë se, qëllimi i ligjit është reduktimi sa më shumë i pikave të basteve, që sipas saj kanë zaptuar qytetet, por opozita thotë se drafti krijon monopol në treg.

“Zoti Bode, qëllimi i këtij ligji është reduktimi deri në mbyllje i këtyre lojërave. Këtu bëhet fjalë për lokalet e basteve sportive dhe, në qoftë se ka një gjë që vazhdon të jetë e përhapur pa fund nëpër qytetet tona, ato janë lokalet e basteve. Nuk ka pallat që të mos ketë në kat të parë një pikë basti. Me këtë ligj nuk po i heqim dot larg kateve të para të pallateve, të paktën të jenë larg këtyre 3 institucioneve”, u kundërpërgjigj kreu i këtij komisioni, Erion Braçe

“Kopshte, shkolla dhe institucione kulti ka jashtëzakonisht shumë. I bie që në të gjithë Tiranën të mbeten 10-20 nga këto pika bastesh, kështu që më mirë t’i ndaloni fare. Kush do t’i mbajë këto 20 pastaj?”, replikoi sërish deputeti demokrat, Bode.

Pas debateve, komisioni e shtyu për më vonë nenin, që përcakton distancën nga objektet e kultit.

Paralelisht, qeveria kishte parashikuar në draft, që edhe distanca ndërmjet pikave të ishte jo më e vogël se 200 metra. Por edhe votimi i kësaj pike u shty për më vonë.

Veç reduktimit të basteve sportive, ligji i ri i nxjerr jashtë qyteteve edhe kazinotë, duke i zhvendosur ato vetëm në zonat bregdetare.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>