LSI, Vasili dorëhiqet e propozon Kryemadhin

VasiliNë Shqipëri kryetari i LSI-së Petrit Vasili, i zgjedhur vetëm pak javë më parë, njoftoi sot dorëhejen duke propozuar zëvendësimin e tij me Monika Kryemadhin. Zoti Vasili e motivoi vendimin e tij me faktin se LSI-ja do të riorganizohet për t’ju përshtatur rolit dhe detyrave të reja në opozitë. Zgjedhje e kreut të ri të partisë është parashikuar të bëhet të mërkurën e ardhshme nga Konventa e LSI-së

LSI-ja ndërron sërish drejtimin e saj, ndërsa këtë here, përgatitet, që pas 8 vitesh në pushtet, të fillojë një jetë të re në opozitë. “Ky rol i ri kërkon energji të reja, intensitet shumë të lartë edhe se më parë, sepse kjo përgjegjësi duhet zhvilluar, nuk janë përgjegjësi që lidhen vetëm me LSI por janë përgjegjësi që duhet t’i zhvillojmë në funksion të drejtë për interes të qytetarëve shqiptar. Ndaj në këtë funksion, personalisht kam vendosur që të paraqes dorëheqjen si kryetar i LSI”, bëri të ditur sot kryetari Petrit Vasili.

Një vendim i papritur kur mendohet se LSI-ja e kishte projektuar zotin Vasili dhe si kryeministër të saj të ardhshëm në rast të fitores në zgjedhje. Ai lë kështu drejtimin e partisë pas pak më shumë se një muaj e gjysëm në krye të saj. Vetëm pak javë, gjatë së cilave ai u angazhua në fushatën elektorale, por duke mbetur disi në hije pas rikthimit në skenë të themeluesit të saj, Ilir Meta, i cili kish dhënë dorëheqjen pas zgjedhjes së president i ardhshëm i vendit. Për zotin Meta, i cili formalisht do të duhet shkëputet nga LSI-ja, menjëherë me marrjen e detyrës së Kreut të Shtetit, ndarja me partinë duket se nuk do të jetë shumë e dhimbshme. Bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi pritet të jetë kryetarja e ardhshme.

Zoti Vasili tha se kishte qenë ai që e kishte propozuar atë “si kandidate për Kryetare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, bazuar jo thjesht në pozicionin e Zv. Kryetares që ajo mbulon aktualisht por në radhë të parë për kualitetin politik të jashtëzakonshëm. Së dyti bazuar edhe në kualitetin e jashtëzakonshëm organizativ. Dhe së treti, besoj si një shkak më madhor, zonja Kryemadhi ka qenë një politikane aktive e cila nuk është bërë pjesë në asnjë rast e ekzekutiveve shqiptare në këto 8 vite”.

Zonja Kryemadhi, ka hyrë në politikë që në fillim të viteve ’90 dhe që prej asaj kohë ka zhvilluar një jetë shumë aktive duke qenë drejtuese e forumeve të ndryshme si të partisë socialiste ashtu dhe më pas të LSI-së. Vështirë që në zgjedhjen e saj e cila duhet të votohet nga Konventa të mërkurën e ardhshme, ajo të hasë në ndonjë rivalitet të mundshëm brenda partisë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>