Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, shprehu sot kritika të tjera të ashpra për korrupsionin e gjykatave shqiptare, duke iu referuar lirimit tre ditë më parë të një dënuari shumëvjeçar për arsye shëndetësore.
Lulzim Berisha, i njohur si drejtues i një bande kriminale në Durrës, u lirua me kusht tre ditë më parë nga gjykata e Apelit në Durrës, sepse, sipas saj, vuan nga një sëmundje e rëndë.
I dënuar me 25 vjet burgim për krime të rënda, Lulzim Berisha qëndroi vetëm 12 vjet në një burg të zakonshëm në Durrës dhe tani, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ka lënë qelinë për të shkuar në shtëpi, sepse “vuan nga një sëmundje e rëndë dhe në qeli i rrezikohej jeta”.
Por për ambasadorin amerikan, motivet e lirimit të tij janë të paqarta, duke theksuar se ky vendim është i papranueshëm.
“Lirimi i Lulzim Berishës është bërë për shkaqe të panjohura. Dua t’i them gjykatave të korruptuara se ky vendim është i papranueshëm. Duhet të indinjohemi”.
Ambasadori Lu i bëri këto komente në një veprimtari me organizata të shoqërisë civile në ditën ndërkombëtare të Korrupsionit. (voa)