Lu: Situata e krimit, serioze

luTiranë, ambasadori amerikan: Bosët e krimit vihen rrallë nën akuzë. Problem pandëshkueshmëria. SHBA-të do mbështesin Byronë Kombëtare të Hetimit

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se vendi ka nivelin më të ulët të ndjekjeve penale për krime të rënda në Europë dhe problemi ështe pandëshkueshmeria. Duke folur në një konferencë të organizuar nga Qendra Marshall në Tiranë, ambasadori amerikan u shpreh se “në Shqipëri ata që akuzohen si trafikantë droge dhe bosë kryesorë të krimit rrallë herë përballen me akuzat kriminale. Bosë të fuqishëm krimi mund t’ia hedhin lehtësisht për shkak të lidhjeve të tyre me njerëz me ndikim”, Ai solli sërish shembullin e një emri të njohur të botës së krimit Emiljano Shullazi “një trafikant i dënuar për trafik droge, i cili për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafik droge dhe kërcënime por vetëm së fundmi u arrestua”.

Sipas ambasadorit amerikan, “situata në Shqipëri është serioze, por unë besoj se reforma gjyqësore dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë për të zgjidhur problemin e pandëshkueshmërise dhe lidhjet kriminale me politikën. Njerëzit në Shqiperi janë lodhur me krimin në politikë”, tha ai duke shtuar se “përpjekja e suksesshme për të larguar vrasësit, trafikantët e drogës, tutorët dhe përdhunuesit nga parlamenti dhe qeverisja lokale, do të ndikojë në reduktimin e pandëshkueshmërisë së boseve të krimit të organizuar. Ky është një paralajmërim edhe për kriminelët e tjerë. Ti hysh politikës është gjë e keqe për biznesin. Do të hidhet dritë mbi aktivitetet e tua kriminale dhe do të hysh shpejt ne burg”, nënvizoi ambasadori Lu.

Duke folur për rëndësinë e reformës në Drejtësi për pastrimin e radhëve të prokurorëve dhe jgykatësve të korruptuar ai theksoi rolin e Prokurorisë speciale dhe Byrosë kombëtare të hetimit. “Të dyja do të kenë në shënjestër korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. SHBA-të kanë marrë një angazhim për ta mbështetur Byronë nëpërmjet trajnimeve, asistencës, dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane. Ky do të jetë një grup serioz dhe i aftë hetuesish – shpjegoi ambasadori Lu – Atyre do t’u jepen në mënyrë të rregullt teste të zbulimit të mashtrimit, do të kenë trajnimin më të mire, me pajisjet më të fundit dhe një agjent i FBI-së do të emërohet nga Uashingtoni, që të sigurohet se janë efektivë në punën e tyre dhe se po i hetojnë rastet pa ndikim politik”, u shpreh ambasadori amerikan duke ritheksuar se “është në interesin e SHBA-ve, BE-së dhe popullit shqiptar, që Shqipëria të trajtojë në mënyrë të sukseshsme problemin e krimit të organizuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>