Zëvendësministri i Bujqësisë në Shkup, Lupço Nikolovski ka deklaruar se, në tregun e Maqedonisë kanë hyrë nga Shqipëria kastravecë që përmbajnë substanca helmuese. Ai thotë se, analizat e laboratorit shtetëror tregojnë se, kastravecët që janë importuar nga Lushnja e Shqipërisë përmbajnë sasi dy herë më të lartë të pesticideve, nga sa është e lejuar me ligj.
“Analizat që janë marrë nga laboratori shtetëror fitosanitar tregojnë se, kastravecët e importuar nga Shqipëria përmbajnë dyfish më shumë pesticide, sesa normat e lejuara me ligj. Më konkretisht janë vërejtur koncentrate të substancës aktive ‘Metalaxyl’, e cila është helmuese”, tha Lupço Nikolovski, zëvendësministër i Bujqësisë.
Lupço Nikolovski, i cili është emëruar në postin e zëvendësministrit të Bujqësisë vitin e kaluar, me propozim të partisë opozitare LSDM, tha se ky rast dëshmon se në vend nuk funksionojnë institucionet e drejtuara nga përfaqësuesit e partisë së Nikola Gruevskit.
Ai u zotua se do të zbulojë të vërtetën dhe tha se do të informojë qytetarët, se kush ka lejuar që këto perime helmuese të përfundojnë në tregun e Maqedonisë.
“A kontrollohen të gjitha firmat njësoj dhe si mund të kenë besim qytetarët tek institucionet? Do të ndjekim mënyrën sesi do të procedohet ky rast dhe do ta informojmë publikun. Përgjigje duhet të ketë. Nuk ka kompromis me shëndetin e qytetarëve”, tha Lupço Nikolovski, zëvendësministër i Bujqësisë.
Ndërkohë, Agjencia për Ushqimin dhe Veterinarinë në Shkup, që kryen kontrollet e produkteve të importuara në Maqedoni, ende nuk e ka komentuar këtë rast.
/ Top Channel