Marijuana, Manjani: të ndërhyhet më fort

manjaniNë Shqipëri ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha sot se në vend ekziston një perceptim i gjerë se fenomeni i kultivimit të marijuanës është i përhapur. Sipas tij nevojitet një reagim më i fortë i strukturave shtetërore e nëse do të ishte e nevojshme të përfshihej dhe ushtria

Ndërsa çështja e kultivimit të marijuanës është bërë objekt thuajse i përditshëm i mediave shqiptare apo të huaja, si dhe e politikës në vend, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, pranon se ka një perceptim të përhapur se fenomeni është i pranishëm gjerësisht: “Perceptimi është shumë i madh. Njerëzit janë të bindur se kjo gjë ndodh në Shqipëri. Na takon ne të reagojmë në mënyrë proporcionale, që do të thotë se ne duhet te reagojmë në mënyrë edhe më të fortë se sa deri më sot. Dhe po qe e nevojshme duhet të dali dhe ushtria. Nga ky fenomen o ndahemi tani o nuk ndahemi më, o ndahemi tani sa ka filluar, se kur të ndahemi pastaj do të jetë shumë vonë dhe do të jetë shumë e dhimbshme”.

Sipas ministrit duhet që të jetë e qartë se bëhet fjalë për nje fenomen të rrezikshëm që mbjell varfëri dhe kriminalitet: “Ky nuk është një biznes që siguron mirëqënie, por vetëm një biznes që siguron varfëri. Duhet ta kenë të qartë që të gjithë këtë gjë. Kushdo që merret me këtë punë vetëm mbjell varfëri dhe shton krimin. Kriminalizon shoqërinë. Eshtë e ngjashme me atë që kemi hequr me piramidat financiare. Nëse ky është perceptim ne duhet ta luftojmë. Nëse është realitet, është akoma më keq”.

Zoti Manjani u kujdes të përsërisë se reagimi i tij nuk është një kritikë pasi siç tha ai, nuk është një sektor që e mbulon personalisht dhe nuk e njeh realitetin. Megjithatë deklarimi i tij nuk duket të jetë në një linjë me atë të ministrit të Brendshëm apo kryeministrit Edi Rama, sipas të cilëve shifrat që dëshmojnë për një përhapje të fenomenit, janë më shumë një tregues i goditjes më të fortë që ka dhënë policia.

Autoritetet janë përfshirë më së shumti në një krahasim shifrash me periudhën kur në pushtet ishin demokratët, duke nënvizuar se sipas të dhënave të Guardia di Finanza-s italiane sipërfaqja e mbjellë këtë vit mbetet më e ulët se ajo e 2013, dhe se parcelat e identifikuara nga italianët janë goditur thuajse totalisht. Megjithatë, edhe shifrat e periudhës së qeverisjes së majtë tregojnë se pas goditjes së Lazaratit në 2014, një vit më pas, sipërfaqja e mbjellë ra në 44,7 hektarë, për të kërcyer në 213 hektarë në 2016 dhe me mbi 2,4 milion rrënjë të asgjësuara.

Ndërkohë rastet që sinjalizohen nga Greqia e sidomos nga Italia, flasin gjithashtu për një aktivitet në rritje të trafikantëve që dërgojnë marijuanën drejt vendeve perëndimore. Në një reportazh të televizionit italian RAI 3, të pak ditëve më parë, drejtuesi i prokurorisë antimafia të Lecce-s, Cataldo Motta tha se këtë vit ka patur sasi të mëdha droge drejt Italiasë, 3,8 ton vetëm në javën e fundit të shtatorit. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>