Marrëveshjet Kosovë – Shqipëri nën hijen e “Mini-Shengenit” ballkanik

MinishengenNisma rajonale e ashtuquajtur “Mini-Shengeni” ballkanik ka tensionuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duke lënë nën hije edhe dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme të nënshkruara ndër vite mes dy shteteve.

Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, që përfshijnë fusha, deri më tani nuk kanë gjetur zbatim në tërësi dhe sipas analistëve politikë në Tiranë dhe analistëve ekonomikë në Prishtinë, kjo tregon se marrëdhëniet mes dy shteteve janë në një pikë mjaft të ulët.

Opinionisti nga Tirana, Armand Shkullaku në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se raportet mes dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, janë tensionuar pas takimeve që po mbahen në kuadër të nismës rajonale “Mini-Shengeni” ballkanik, por sipas tij, kjo nismë nuk është arsyeja e vërtetë që po pengon zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

Shkullaku thotë se marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve janë në pikën zero të zbatimit, kështu që ato nuk mund të dëmtohen, pasi që nuk janë zbatuar fare.

“Marrëveshjet mes dy shteteve do të dëmtoheshin në rast se ato do të funksionin më së miri. Janë nënshkruar disa marrëveshje mes dy vendeve, por deri më tani kanë mbetur vetëm në letër. Pengohet diçka që është duke u zhvilluar jo diçka që është akoma në projekt. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në një pikë mjaft të ulët”, thotë Shkullaku.

Kosova dhe Shqipëria kanë të nënshkruara dhjetëra marrëveshje të cilat kanë për qëllim bashkëpunimin dhe lehtësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se Shqipëria dhe Kosova duhet t’i analizojnë marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, në veçanti ato nga fusha e ekonomisë.

“Politika e fqinjësisë së mirë nga Tirana zyrtare duhet të fillojë nga Prishtina dhe të vazhdohet më tutje, e jo të shikohet që të shkohet me marrëveshje të reja si “Mini-Shengeni”, të cilat në fakt paraqesin privilegje për ekonominë më të madhe të Ballkanit, siç është Serbia që ka GDP-në 48 miliardë euro, që është dukshëm me e madhe se e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku”, thotë Gashi.

“Prapa idesë për “Mini-Shengenin” fshihet një union doganor i cili për herë të tretë po iniciohet nga Serbia për arsye se ky është një obstruksion që po i bëhet Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që vendet e Ballkanit kanë nënshkruar me Bashkimin Evropian dhe ka për qëllim të krijojë hapësira të reja në Ballkan për ndikimin rus dhe aleatin kryesor të saj, Serbinë”, thotë Gashi.

Deri më tani në kuadër të nismës rajonale të njohur si “Mini-Shengeni” ballkanik janë mbajtur tri takime të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Kosova nuk ka qenë e përfaqësuar, pasi që një iniciativë e tillë rajonale është kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë në Prishtinë, përfshi ata në qeveri dhe opozitë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë iniciativë rajonale e ka quajtur të pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me qëndrim refuzues ndaj kësaj nisme, ishte shprehur edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në takimin e fundit të liderëve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në Tiranë e ka quajtur të pakuptimtë mospjesëmarrjen e Kosovës, ndërkaq në një prononcim për media pas mbylljes së takimeve me liderët e Ballkanik, Rama e ka quajtur kryeministrin e Kosovës e ka quajtur “gënjeshtar”.

“Haradinaj është një gënjeshtar dhe vazhdon të gënjejë. Nuk e di nëse e bën nga padija, por është gënjeshtar”, ka thënë Rama.

Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që është kandidat për kryeministër, përmes rrjetit social Twitter i ka reaguar kryeministrit Rama.

“Parimet e gjithëpërfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin nismat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë shkon përmes Prishtinës. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne na duhet më shumë bashkëpunim e jo konfrontim”, ka shkruar Kurti.

Deklaratat e tilla të kryeministrit Rama, thotë Armand Shkullaku kanë prekur opinionin në Kosovë, për faktin, siç thotë ai, se Kosova pret që Shqipëria përpara se të bisedojë me Serbinë, Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi, do të duhej të kishte arritur një unifikim qëndrimesh me faktorin politik në Kosovë.

“Pavarësisht klimës së krijuar së fundi, sidomos pas deklaratave që kryeministri Edi Rama bëri në krah të Vuçiqit për disa nga liderët politik të Kosovës, është e vërtetë se ka një tension mes Tiranës dhe Prishtinës, por nuk besoj që kjo klimë e tensionuar së fundi do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve për faktin se përpjekjet e Edi Ramës në Tiranë janë përpjekje të një lideri politik që kërkon protagonizëm në një kohë kur qeveria e tij dhe vendi (Shqipëria) ndodhet në një krizë politike”, thotë Shkullaku.

Gjuha që përdori kryeministri Edi Rama, së fundi shton Shkullaku, më tepër është tentativë e tij, për tu faktorizuar si një lider.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë që moti të qartë pozicionin e tyre në lidhje me nismën për “Mini-Schengenin’ ballkanik, përmes një komunikate ku thuhet se “ne besojmë se në mënyrë që kjo iniciativë të jetë e suksesshme, duhet të përfshihet i gjithë rajoni, bashkë me Qeverinë e Kosovës”.

Kosova dhe Shqipëria tani e sa kohë synojnë ta heqin kufirin ndërmjet dy vendeve me qëllim të lehtësimit të procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave, por kjo ende nuk është jetësuar.

Ndërkohë, shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve ishin konsideruar se po iu vihen barriera pas vendosjes e taksës rrugore nga 5 euro deri në 22.5 euro në autostradën “Rruga e Kombit”, nga Qeveria e Shqipërisë.

rel

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>