Mazhoranca miraton me 88 vota vetting-un; opozita braktis sallën

parlamenti ALBLigji për vetting-un u miratua në seancën e jashtëzakonshme të së martës vetëm me votat e mazhorancës, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën krijimit të institucionit që do të merret me pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ishin votat e PS, LSI dhe PDIU që vendosën fatin e vetting-ut. Të pranishëm në sallë ishin edhe deputetët Armando Prenga e Tom Doshi, ndërsa kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule abstenoi.

Para votimit, kryeministri e ftoi edhe njëherë opozitën që të mos i ndahet trenit të fitores. Por ndërsa e cilësoi miratimin e vetting-ut kurorëzim të reformës në drejtësi, Edi Rama pati edhe një paralajmërim.

“Ata që i kundërvihen reformës në drejtësi janë ata që kanë probleme me drejtësinë. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet për konsesus, nuk e kuptoj pse po ndahen nga treni i fitores. Por dita do të vijë, drejtësia vonon por nuk harron, thotë populli”, deklaroi Rama.

Thirrjen për konsensus e përsëriti disa herë edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, për të cilin qëndrimi i opozitës nuk ishte bindës. Ai u kujdes të theksonte se reforma, për të cilën politika shqiptare është vonë, nuk bëhet për hakmarrje politike.

“Ka një dallim themelor midis konsensusit për Kushtetutën dhe konsensusit për ligjet në zbatimin e Kushtetutës. Nuk më duket shumë bindës qëndrimi i opozitës, por kjo është e drejta e saj. Nuk besoj se dikush do ta merrte guximin, por edhe po ta merrte jam i bindur që do të përfundonte shumë keq, për të përdorur shtetin dhe institucionet për hakmarrje politike”, deklaroi Meta.

Demokratët qëndrimin e tyre e kishin shprehur më herët pas mbledhjes së grupit. Eduard Halimi tha në emër të opozitës se ligji aktual është antikushtetues dhe ajo nuk do të bëhet pjesë e një procesi që synon kapjen e drejtësisë.

“Nuk do të jemi pjesë e një procesi që ka synim kapjen politike, dështimin e reformës dhe dështimin e politikës. Ju faleminderit shumë, ne po largohemi tha Halimi.

I pyetur në përfundim të seancës nëse do ta kalojë apo jo me sukses provën në Gjykatën Kushtetutese opozita, kryeministri dha këtë përgjigje:

“Nuk jam unë ai që duhet të pyetem për këtë dhe më mirë të mos përgjigjem, sepse pastaj mund të them atë që mendoj në rastin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Rama.

Majko: Cënimi i sovranitetit, një justifikim i rremë

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka argumentuar se pr/ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve përfaqëson një nga aktet më të rëndësishme të reformës në drejtësi.

Duke theksuar se diskutimi për këtë pr/ligj ka më shumë se një vit që vazhdon, Majko ka thënë se, këto debate kanë qenë të lidhura me interesat e politikës së ditës.

“Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, është fakt se drejtësia shqiptare është kthyer në një varrezë morale të shoqërisë. Ajo ka varrosur mëkatet e politikës dhe garantuar institucionalizimin e korrupsionit”, ka thënë Majko.

Sipas tij, vetting-u është një nga momentet më të sulmuara të reformës në drejtësi, por është dhe themeli i dallimit mes palëve.

“Prekja e sovranitetit u përdor si pretekst gjatë këtij procesi. Në lidhje me masat e mara për procesin e rivlerësimit mjafton të citosh një paragraf të Komisionit të Venecias që thotë: “Këto masa janë jo vetëm të justifikuara, por të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili nëse nuk trajtohet mund të shkatërrojë plotësisht gjyqësorin. E gjithë skema është më e qartë dhe jep garanci më të mira për individët që mund të preken nga vlerësimi. Vëzhguesit ndërkombëtarë do të mbikëqyrin procesin vendimmarrës në të gjitha shkallët dhe nivelet”. Këtë kolegët e opozitës harrojnë ta kujtojnë””, ka pohuar Majko paragrafin e KV.

Ai ka saktësuar se, procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të përfshijë kontrollin në 3 drejtime: pasuritë; lidhjet me krimin e organizuar; vlerësimin e punës dhe aftësive profesionale.

“Në këtë proces komisioni i rivlerësimit do të vendosë detyrimin e subjektit që të ndjekë programin e riaftësimit në Shkollën e Magjistraturës për një vit. Në këtë proces, gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtare do të bëjnë një provë thelbësore, refuzimi i të cilës i detyron organet e rivlerësimit të japin një vendim me shkrim për shkaqet e refuzimit”, ka saktësuar Majko.

Kjo, sipas tij, “përbënte për kolegët e së djathtës dramën e shkeljes së sovranitetit të shqipërisë”. “Një justifikim që po bëhet me akuzën se reforma po bëhet për kontrollin e drejtësisë, që përfundoi tek akuzimi i Perëndimit. Një hipokrizi që duket si politikë, por që në të vërtetë është frikë nga mos kontrollimi i drejtësisë nesër. Frika për t’u përballur me veten është personale”, ka pohuar Majko, duke shtuar se, “koha e të paprekshëmve mbaroi”.

Halimi: Vetting-u, nga njerëzit e besuar të Ramës dhe Tahirit

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme plenare ka dhënë arsyet përse opozita e kundërshton variantin e ligjit të vetting-ut.

Në fjalën e tij, Halimi ka përmendur 3 arsye përse ky draft bie në kundërshtim me kushtetuten e re e që provojnë sipas tij pretendimet e opozitës se qeveria synon kapjen e sistemit të drejtësisë.

“Së pari, vetting-un duhet ta kryejnë Komisioni i Vetting-ut që do të krijohet sipas Kushetutës, por anëtarët e Komisionit të Vetting-ut, një komision i konceptuar si i pavarur e që do ketë pushtetin për të larguar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar e të paaftë, sipas nenit 24 të këtij ligji do të jenë nën monitorimin  e plotë të kujt thoni ju? Të Edi Ramës. Antarët e komisionit do t’i monitorojë drejtori i DPPP-së që është një Alket Hyseni, kryetar i komisionit të garancive statutore në PS. Kaq më mjafton”, ka thënë Halimi.

Së dyti, ka vijuar deputeti i PD, palët kishin rënë dakord më 22 korrik se vetting-un, kontrollin e pasurisë, të njohurive dhe të figurës për gjyqtarët do ta bënte eksluzivisht komisioni i vetting-ut.

“Këtë thotë neni 179 e vijues i Kushetutës. Kurse pr/ligji i njëanshëm që keni sjellë vendos rol aktiv dhe përcaktues organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv, ILDKPKI dhe DSIK, që pa dyshim sjell kontroll tërësor të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit, duke lënë jashtë çdo kontrolli apo drejtimi nga organet e vetting-ut. Ky fakt bie ndesh me pikën 5 të nenit 179/b, ku specifikohet se rivlerësimi kryhet nga KPK. Gjithashtu, kjo bie ndesh me pikat 3 dhe 4 të nenit Ç të Aneksit të Kushtetutës”, ka saktësuar Halimi.

Motivi i tretë dhe sipas opozitës më “paradoksali” është kontrolli i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në kapitullin e pestë.

“Drejtori i SHPÇB-së të ministrit të Brendshëm dhe drejtori i Edi Ramës për informacionin e klasifikuar, të dy emërime politike, njerëz të lidhur kokë e këmbë me Partinë Socialiste. Këta drejtore të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit do mblidhen dhe do thonë se gjyqtari X apo Y duhet të ikë nga detyra jo se është i korruptuar apo i paaftë, por se këta, drejtorët e Edi Ramës me demek, paskan foto dhe dëshmimtarë se i paskan parë me njerëz të papërshtatshëm dhe duhet të largohen se ky me demek është standard europian”, ka shtuar Halimi.

Meta: Reforma, jo për hakmarrje politike

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në fjalën e tij në seancën parlamentare për votimin e ligjit të vetting-ut ka deklaruar se klasa politike është e vonuar në këtë drejtim për një sërë arsyesh.

“Jemi shumë vonë për miratimin e ligjit për vetting-un në raport me procesin e reformës, por në mënyrë të veçantë, në raport me plotësimin e detyrimeve tona në kuadër të procesit të integrimit evropian. Sepse jo vetëm ky ligj, por edhe disa ligje të tjera kyçe, normalisht duhet të raportoheshin me datën 1 shtator si të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë”, ka thënë Meta.

Kreu i LSI ka shprehur keqardhjen e tij që “e gjithë kjo kohë që ishte në dispozicion prej disa javësh nuk u shfrytëzua me efektivitetin e duhur”.

Ndër të tjera, ai është shprehur skeptik për një konsensus eventual me opozitën për këtë ligj, por u ka dhënë një mesazh pretendimeve të saj.

“Për të gjithë ata të cilët përmendin konsensusin e 21 korrikut dhe apelojnë në vazhdimësi për konsensus, dua t’u bëj të qartë se ka një dallim themelor midis konsensusit për Kushtetutën dhe konsensusit për ligjet në zbatimin e Kushtetutës”, ka thënë Meta.

Dhe ky konsensus, sipas tij, “ka të bëjë me legjitimitetin e reformës në drejtësi, me stabilitetin e vendit dhe me besueshmërinë e të gjithë procesit”.

“Një Parlament me kaq shumë probleme, me kaq shumë ngjarje të shëmtuara që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, që e kanë dëmtuar imazhin e vendit në mënyrë të jashtëzakonshme, nuk do të pranonte t’i vinte një njollë tjetër këtij Parlamenti dhe të gjitha proceseve demokratike në vend pas 26 viteve tranzicion dhe pluralizëm”, ka thënë më tej Meta.

Sa i takon shqetësimeve të opozitës për disa institucione që janë në varësi të ekzekutivit, kreu i Kuvendit ka vlerësuar se, “çdo lloj opozite që do të ishte këtë gjë do të bënte”, “por unë nuk besoj se kjo duhet ta pengojë që ta votojë ligjin në parim dhe të monitorojë zbatimin e ligjit”, ka theksuar Meta.

Më tej ai ka hedhur poshtë zërat se, përmes këtij ligji mazhoranca synon një hakmarrje politike. “Nuk besoj se dikush do ta merrte guximin, por edhe po ta merrte jam i bindur që do të përfundonte shumë keq për të përdorur shtetin dhe institucionet për hakmarrje politike”, ka shtuar ai.

Rama: Asnjë politikan nuk do t’i shpëtojë drejtësisë

Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancën për votimin e ligjit të vetting-ut, ka deklaruar se kemi të bëjmë me hapin më të rëndësishëm të të gjithë reformës në drejtësi.

“Sot jemi pranë një kurorëzimi të rëndësishëm, që është baza e reformës në drejtësi, që i hap rrugë fshesës së hekurt në pallatin e drejtësisë dhe nis spastrimin e saj nga ata që kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend, kanë marrë peng liri e të drejta, e kanë kthyer drejtësinë në një mall që shitet e blihet dhe kanë penguar jo vetëm çdo qytetar në rrugën e vetë për të marrë të drejtë, por një popull të tërë”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, ata që kundërshtojnë reformën në drejtësi kanë probleme me drejtësinë. “Ata që duan të pengojnë këtë proces të rëndësishëm janë ata që kanë frikë se çfarë vjen pas kësaj reforme”, ka thënë shefi i qeverisë, duke akuzuar opozitën për prishjen e konsensusit.

“Ne i bëmë të gjithë përpjekjet për konsensus, por nuk mund të ketë një konsensus alla shqiptarçe që bie ndesh me atë të partnerëve, në kuadër të integrimit në BE”, ka thënë Rama.

Ai ka paralajmëruar se, “nga kjo reformë çdo politikan, sado legjendar e sado historik do ta ketë të pamundur t’i shpëtojë drejtësisë përmes kërcënimeve dhe përmes thirrjeve një pjese të popullsisë që të urrejë pjesën tjetër”.

“Venecia na rekomandon që këto masa janë jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme. Askush nuk do të mund t’i shpëtojë drejtësisë. Drejtësia vonon por nuk harron”, ka vijuar Rama.

Menjëherë ka replikuar ish-kryeministri Berisha, i cili i ka thënë parafolësit: “Kur të thash se do të t’i thyejmë turinjtë, nuk të thash se do ta bëjmë me doreza boksi”, ka thënë Berisha, duke lënë të kuptohet se do të jetë një disfatë politike e kryeministrit. “Do të jesh kryeministri më afatshkurtër në histori”, ka shtuar Berisha.

Berisha: Qeveria e krimit prishi konsensusin

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke marrë fjalën në seancën parlamentare për votimin e ligjit të vetting-ut në kuadër të reformës në drejtësi, ka deklaruar se kjo seancë mbahet në një moment kur krimi ka pushtuar gjithë vendin.

“Seanca mbahet kur në vetëdijen e çdo shqiptari është shndërrimi i vendit në kanabistan. Shndërrimi i Shqipërisë në kanabistan përbën krimin më të rrezikshëm në këto vite”, ka thënë Berisha.

Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Berisha ka përsëritur akuzat për kriminalizim të strukturave të shtetit.

“Urime që zgjodhe Arben Ndokën president të Federatës së Mundjes. Kjo është piramida më e rrezikshme me të cilën përballen Shqipëria dhe shqiptarët”, ka thënë Berisha.

Ai i ka kujtuar kreut të qeverisë edhe një batutë, që sipas tij ai ia ka thënë ambasadorëve për veriun. “Ti i bën këto kur një ambasadori i ke thënë se veriorët janë kriminelë dhe duan kriminelë. Një urrejtje kjo që nuk ishte as në kohën e diktaturës”, ka thënë Berisha.

Sa i takon reformës, ai ka nënvizuar se, “opozita ka luftuar shumë për standardin e këtij ligji, por tani po prishet konsensusi”.

“Është detyrimi ynë që reforma të ketë sukses. Ne përcaktuam një mënyrë tjetër për verifikimin e gjyqtarëve, por ju po e prishni”, ka thënë më tej Berisha. Ai ka paralajmëruar Ramën se do ta pësojë nga prishja e konsensusit.

“Konsensusi është sanksionuar në Kushtetutë, por nëse do ta bëjmë vetting-un duhet t’u përmbahemi amendamenteve se e bën BKH. Ju tani na thoni se do ta bëjnë sekretarët organizativë të Edi Ramës. T’i kemi thyer turinjtë njëherë dhe do të t’i thyejmë prap”, i ka thënë Berisha-Ramës.

Mediu: Ligji, një farsë politike

Në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillohet seanca e jashtëzakonshme për votimin e ligjit të vetting-ut, në kuadër të reformës në drejtësi.

I pari që ka marrë fjalën ka qenë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili ka deklaruar se mazhoranca po miraton një ligj që përmbush vetëm interesat e saj politike.

“Nuk kemi një parlament të përgjegjshëm për të parë çfarë është ligji, por kërkohet që vetëm në përputhje me interesat politike të miratohet një ligj që shkel Kushtetutën”, ka thënë Mediu.

Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës, Mediu e ka akuzuar atë se, edhe në nisje të procesit të reformës kërkoi një proces të njëanshëm.

“Vendosët vija të kuqe, të zeza apo jeshile dhe edhe sot vazhdoni të diskutoni për to, edhe pse nuk ka asnjë vijë të tillë. Thjesht ia keni hequr barrën vetes tuaj dhe ia u keni vënë të tjerëve”, ka thënë Mediu, i cili ka theksuar se, “opozita nuk mund të bëhet pjesë e një farse ligjore”.

“Të gjithë ata që bëjnë vetting-un duhet të jenë të kontrolluar nga qeveria. Në këtë mënyrë ligji krijon hapësira për veprime selektive, që do të kenë pasoja për qytetarët”, ka shtuar kreu i Partisë Republikane.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>