Meta: Duhet një projekt i ri për Unazën e Madhe; projekti ekzistues të anullohet e të hetohet për korrupsion

protestaNë Tiranë, Presidenti Ilir Meta i kërkoi qeverisë të nisë një projekt të ri për Unazën e Madhe me transparencë të plotë dhe në konsultime me banorët, që preken prej saj.

Ai sugjeroi që projekti ekzistues të anullohet, përderisa po hetohet për një seri shkeljesh. Megjithatë, qeveria duket e vendosur të vazhdojë projektin e saj.

Presidenti i Republikës Ilir Meta i kërkoi sot qeverisë të anullojë projektin për unazën e re, të ndërpresë çdo procedurë prokurimi që po realizohet bazuar në projektin ekzistues dhe të nisë procedurat me garë të hapur për të realizuar një Projekt të Ri.

Presidenti Meta publikoi sot një qëndrim të detajuar mbi këtë cështje, për të cilën banorët e asaj zone po protestojnë prej mbi 3 muaj nga parlamenti nga bashkia e tiranës dhe përditë e përnatë para shtëpive të tyre.

Zoti Meta kërkoi që gjatë fazës së hartimit të projektit të hapet konsultimi publik me banorët e kësaj zone dhe ekspertë të pavarur për këtë vepër publike.

Presidenti Meta tha se u konstatuan paligjshmëri ekstreme dhe keqfunksionim i institucioneve shtetërore në këtë cështje, ndaj duhen shfuqizuar procedurat mbi përjashtimin e objekteve nga procesi i legalizimit, prishja e ndërtimeve ekzistuese apo gjoba kundrejt banorëve.

“U faktua publikisht se konkurimi në të tre pjesët e rrugës ishte fiktiv; në çdo lot konkuruan dy kompani, ku e njëjta kompani në të tre lotet ka dhënë ofertë ekonomike me vlerë zero! Kjo provon qartazi realizimin e një procesi tenderimi të trukuar.Një nga kompanitë fituese të tenderit (DH Albania) doli një kompani me një historik fiktiv dhe me dokumenta të fallsifikuara, pas konfirmimit publik të fakteve të fallsifikuara nga autoritetet Amerikane. Vendimi I qeverisë për të rihapur tenderin e kësaj vepre, pas denoncimeve publike, vlerësohet si një veprim i nxituar dhe aspak objektiv, sepse, Prokuroria është duke kryer hetime në këtë çështje”, – tha presidenti.

Ai kërkoi të pezullohet çdo procedurë shpronësimi dhe ky proces të bëhet me kujdes pas miratimit të një projekti të ri dhe të besueshëm.

Zoti Meta kërkoi një trajtim të drejtë dhe të barabartë të qytetarëve për pronat dhe banesat e tyre, që mund të prekë projekti i ri.

Për të gjitha këto hapa, që i quajti të ngutshme, presidenti Meta tha se qeveria duhet të shfaqë së pari vullnetin politik dhe më tej të veprojë në terren, duke hapur procedurat e prokurimit për këtë vepër publike ndërkombëtarisht konform ligjit pasi të jetë formalizuar një projekt i qëndrueshëm, duke nxitur konkurencën e lirë të operatorëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Presidenti Meta tha se ndërtimi publik si unaza e madhe duhet të realizohet, duke respektuar të drejtat themelore të qytetarëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me transparence të plotë.

Ai nxiti prokurorinë shqiptare që të kryejë një hetim të gjithanshëm mbi këtë çështje, pasi sipas tij, shkeljet janë të rënda, të dukshme dhe në kundërshtim me gjithë rendin juridik dhe kushtetues të vendit.

Zoti Meta ftoi po ashtu gjithë organizatat ndërkombëtare dhe vendase të angazhuara në luftën kundër korrupsionit për zbardhjen e shkeljeve dhe abuzimeve të këtij projekti.

Megjithatë qeveria nuk duket ende se mund ta shohë cështjen nga ky këndvështrim i presidentit dhe është e vendsur të vazhdojë në rrugën e saj.

Qeveria në një reagim të shpejtë në rrjetet sociale e vlerësoi këtë koment si një sulm që i erdhi nga ana e presidentit, ngjashëm me ato të opozitës.

Pak kohë më parë qeveria vendosi që të japë qera pa afat në banesa të tjera të gjithë familjeve që lirojnë banesat që pengojnë projektin e Unazës së Madhe.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>