Rajoni, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, sfidat e përbashkëta: Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, në intervistë me Deutsche Wellen, pas vizitës në Gjermani me ftesë të homologes, Ursula von der Leyen.
Deutsche Welle: Zonja Kodheli, ju qëndruat për një vizitë zyrtare dyditore në Gjermani me ftesë të ministres gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Ku u fokusuan bisedimet me homologen gjermane?
Mimi Kodheli: Në ditët e sotme kur siguria dhe mbrojtja janë kryefjala e Europës dhe vendeve të NATO-s sigurisht që kishte shumë tematika për të diskutuar me ministren von der Leyen. Përtej faktit që e falënderova për ndihmën që Gjermania dhe në veçanti ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen i kanë dhënë strukturave e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sidomos në lidhje me trajnimin e edukimin e disa prej oficerëve tanë të lartë, bisedimet u fokusuan në rajonin e Ballkanit – me rrezikun që ky rajon, kufijtë europianë dhe kufijtë e NATO-s përballen, qoftë rreziku që vjen nga jugu, qoftë ai nga lindja, problematikën që strukturat e NATO-s kanë me një vend si Rusia, po ashtu rrezikun nga radikalizmi që vjen nga jugu dhe të ashququajturit „luftëtarë të huaj“ – të gjitha këto ishin tema për diskutim, mbi të cilën ne ngritëm punën tonë të përbashkët për të ardhmen.
Shqipëria po kalon në fazën e nxehtë të reformës së drejtësisë. A biseduat me ministren gjermane von der Leyen për situatën në Shqipëri?
Pa dyshim që folëm edhe për situatën e brendshme në vend, reformat në të cilat po kalon Shqipëria dhe për rrugën, të cilën Shqipëria po e ndjek me skrupulozitet, detyrat e shtëpisë që Shqipëria po bën në rrugën pa kthim drejt Bashkimit Europian. Ministrja Ursula von der Leyen përcolli mbështetjen që qeveria gjermane do të vazhdojë t’i japë qeverisë shqiptare, po ashtu edhe përgëzimin për reformat serioze, të cilat ne duam t’i çojmë drejt përfundimit, si një çelës hyrës për në portën e familjes europiane.
Niveli i bashkëpunimit me Gjermaninë gjithmonë ngrihet lart në takimet dypalëshe të politikanëve. Çfarë mund të thuhet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes?
Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me partnerët gjermanë duke filluar që nga misioni në Masar-al Sharif në Afganistan, jemi në lidershipin e Gjermanisë në misionin e përbashkët- BE në Mali me ekspertët tanë të çminimit. Kështu natyrshëm erdhëm tek një propozim që i bëra ministres gjermane von der Leyen lidhur me pjesëmarrjen tonë në një mision të NATO-s, sa të domosdoshëm aq edhe të nevojshëm në momentet që po përjetojmë. Bëhet fjalë për mbështetjen që disa vende anëtare të NATO-s i japin Frontex-it, misionit europian për menaxhimin e ujërave në kufijtë jugorë të Europës. NATO ka vendosur, me propozim të ministres gjermane von der Leyen në një nga samitet e BE-së, të jetë prezente me anije ushtarake për menaxhimin e ujërave, sidomos atyre të Detit Egje. Shqipëria ofrohet me mjetet e saj lundruese që do të kenë një kohë të caktuar qëndrimi bashkë me anijet e tjera të vendeve të NATO-s. Ky propozim u mirëprit nga ministrja dhe besoj se ekspertët teknikë do të ulen e bien dakord për mënyrën si do të procedohet. Pjesëmarrja në këtë projekt e nderon Shqipërinë, e nderon Ministrinë e Mbrojtjes, qeverinë shqiptare dhe Forcat tona të Armatosura.
Ju ishit e ftuar për një leksion në Akademinë për Drejtuesit të Bundeswehr-it në Hamburg, ku e kanë pasur fjalën edhe emra të njohur si ish-kancelari gjerman, Schröder. Pika më e dobët, thatë ju në Hamburg, “është afër, diku në mes të Shqipërisë, Kroacisë, Hungarisë dhe Bullgarisë, të gjitha vende anëtare të NATO-s që janë në kufi me vende joanëtare të NATO-s”, për çfarë e kishit fjalën?
Ne kemi qenë partizanë të mbështetës së politikës së dyerve të hapura të NATO-s, kemi qenë më shumë sesa vullnetmirë dhe dëshirëplotë për të pasur në familjen tonë edhe vende të tjera, sidomos kur flitet për vendet e rajonit. Ne e kemi mirëpritur vendimin e përbashkët dhe ftesën për anëtarësim për vendin që do jetë anëtari i 29- të i NATO-s, Malin e Zi. Kjo nuk mjafton. Rajoni ynë ende ka probleme me sigurinë, probleme që vijnë nga shkaqe historike, por edhe për shkaqe të demokracive të reja e të brishta që kemi ndërtuar pas komunizmit. Pikërisht këto e bëjnë më të domosdoshëm integrimin euroatlatantik të vendeve të rajonit. Ka vende që ende kanë shumë rrugë për të bërë, si Maqedonia, po ashtu Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, por ndërkohë edhe Serbia, e cila suksesshëm po ecën drejt BE-së, por ka një mosdëshirë, ajo synon të jetë bashkëpunuese dhe jo një anëtare me të drejta të plota. Në këtë kompleksitet, Shqipëria jo vetëm është promotor në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, por edhe promotor i rrugës euroatloantike të përbashkët për të gjitha ato vende të rajonit që janë drejt kësaj rruge, por që kanë ende detyra shtëpie për të bërë.
Në fjalën tuaj ju ishit edhe kritike ndaj mënyrës së menaxhimit të refugjatëve në Ballkan. Si reagoi pala gjermane?
Ne, kryeministri Rama, e kemi bërë publik qëndrimin tonë për këtë çështje, në më shumë se sa një rast. Shqipëria pa as më të voglin dyshim është e do të jetë pjesë e projektit të përbashkët europian në menaxhimin e situatës kritike të refugjatëve. Por Europa duhej të ishte kujtuar pak më parë, të kalonte në një zgjidhje që në momentin, kur miliona refugjatë mësynë kufijtë midis Sirisë dhe Turqisë. Por gjithmonë ka një zgjidhje dhe nuk është asnjëherë vonë për të bërë punë të mira. Besoj kjo do të jetë një punë me kosto më të lartë, por jo e pamundur. Gjermania si vend lider në Bashkimin Europian por edhe vende të tjera shpresoj shumë që të bien në emëruesin e përbashkët, se nuk duhen ngritur mure midis kufijve të vendeve europiane, por vetëm ura.
Kriza e refugjatëve nuk e preku Shqipërinë me mbylljen e itinerarit ballkanik. Si pozicionohet Shqipëria në kuadrin e strategjisë europiane për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së?
Shqipëria po bën maksimumin që kufijtë e saj të jenë të sigurtë, se në këtë mënyrë janë të sigurtë kufijtë hyrës edhe për Europën dhe NATO-n. Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht me strukturat e tjera, kjo u takon më shumë strukturave të ministrisë së Punëve të Brendshme e të inteligjencës. Mbrojtja jep kontributin e saj edhe për shkak të mundësive logjistike që ka.
Reforma në drejtësi shihet si element kyç për hapjen e negociatave. Ka shpresa qeveria shqiptare për miratimin e shpejtë të reformës e fillimin e negociatave të anëtarësimit në vjeshtë?
Shpresa është ajo që vdes e fundit. Por më duhet të theksoj, se ne do ta bëjmë reformën në drejtësi dhe do t’i hapim negociatat, sepse kjo është në të mirë të vendit, në të mirë të qytetarëve, kjo është ajo që qytetarët shqiptarë kërkojnë me shumicë, kjo është ajo që duam të gjithë, e ardhmja e fëmijëve tanë, që ka thjesht e vetëm një emër e kjo është Europa. (dw)