Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, në një deklaratë të bërë nga posta kufitare greke në Molivdhoskepasti, në kufijtë me Shqipërinë, vetëm disa km larg Çarshoves, ka përcjellë një mesazh ndaj Ankarasë dhe Tiranës.
“Është përgjigjja jonë ndaj të gjithë atyre që guxojnë të vënë në dyshim marrëveshjet ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare dhe bëjnë deklarata sfiduese ndaj nesh”, ka thënë Kamenos.
Në fillim ai i është drejtuar Turqise, duke i cilësuar madje deklaratat e Erdoganit, që kërkon ndryshimin e Traktatit të Lozanës për kufijtë me fqinjët, si deklarata idiote. Ndërsa më pas i është referuar edhe Shqipërisë dhe acarimeve të fundit me Tiranën zyrtare.
“Deklaratat e fundit të zotit Rama, deklarata që nuk kanë bazë historike, duhet të na sjellin ndërmend se ata për të cilët ai flet ishin bashkëpunëtorë të nazistëve, ishin ata që qëndruan në anën e të humburve në luftë. Ne nuk do pranojmë këto sfida, këto deklarata që fyejnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Kamenos.
Ministrin grek e ka shoqëruar në këtë inspektim në këtë pikë të largët kufitare të Greqisë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ushtrisë, zv/gjenerali Vasilis Telidhis, si dhe disa zyrtarë dhe oficerë të lartë të ministrisë, të cilët madje kanë qëndruar bashkë me te për më shumë se 24 orë në postën kufitare të kësaj zone.
/ Top Channel