Ministri i Brendshëm reagon ndaj kryeprokurorit Llalla

Fatmir XhafajMinistri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, reagoi sot në mbrëmje lidhur me deklaratat e disa ditëve më parë të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, për mospraninë e prokurorëve gjatë sekuestrimit dhe asgjësimit të lëndëve narkotike. Gjatë një takimi me drejtuesë të prokurorisë në prani dhe të ministrit të Drejtësisë Petrit Vasili, zoti Llalla ngriti shqetësimin “për mospërfshirje totale të Prokurorëve në mënyrën sesi administrohen, sekuestrohen dhe asgjësohen lëndët narkotike. Në të gjitha rastet, lënda narkotike, ashtu si çdo provë tjetër do të asgjësohet në prani të prokurorit”, deklaroi kryeprokurori.

Por ministri i Brendshëm, në një letër dërguar zotit Llalla shprehet i habitur nga deklaratat e tij. “Ky fakt nëse mbetet i provueshëm dhe i vërtetë, së pari më bën përshtypje se përse nuk u diskutua në takimin tonë të përbashkët e nuk gjen asnjë gjurmë të ndonjë komunikimi zyrtar të mëparshëm mes dy Institucioneve”, shkruan zoti Xhafaj, duke shtuar se dhe në dy raportet e Prokurorisë të paraqitura në parlament në vitin 2016 dhe në fillim të këtij viti, “në të gjitha faqet e atyre raporteve, që shpjegojnë shumë detaje, nuk gjendet asnjë rresht i vetëm lidhur me këtë akuzë të artikuluar publikisht nga Ju disa ditë pasi keni paraqitur raportin tuaj në Parlament”.

Duke njohur rolin e Prokurorit dhe domodoshmërinë e pranisë së tij gjatë administrimit të provave, ministri i Brendshëm nënvizon se “shkeljet e pretenduara prej Jush publikisht, për më tepër si tërësi praktike, kalojnë cakun e përgjegjësisë administrative” dhe për këtë arsye zoti Xhafaj thekson se “mirëpres nga ana juaj të evidentoni shkeljet konkrete dhe personat përgjegjës në rradhët e Policisë së Shtetit. Duke njohur përgjegjësitë për institucionin që unë drejtoj jam i gatshëm të ndëshkoj cdo shkelje të ligjit në rradhët e tij. Jam i sigurt, referuar shqetësimit publik që Ju ngritët, se të njëjtën gjë do të bëni edhe Ju edhe për drejtuesit e prokurorive përkatëse që kanë lejuar situata të tilla paligjshmërie. Duke Ju siguruar për veprimin tim të menjëhershëm deri në kufijtë që më lejon ligji, në ndëshkim të çdo rasti në mënyrë të shëmbullt, pres prej Jush krahas informacionit zyrtar që dispononi, edhe përmbushjen e detyrës Suaj proceduese penale, ndaj secilit individ që i provohet shkelja”, nënvizon ministri I Brendshëm duke shprehur besimin se “prokurorët e ndershëm në rradhët e prokurorisë, në reflektim edhe të frymës së ndryshimeve të reja kushtetuese do të jenë të pandikuar nga emocionet dhe interesat e politikës së ditës”. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>