Miratohet me konsensus ligji për dekriminalizimin

Parlamenti voton dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Ambasada amerikane në Tiranë, mirëpret vendimin: Ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend

parlamenti alNë Shqipëri shumica dhe opozita miratuan sot me konsensus (132 vota pro) ligjin për dekriminalizimin, duke i dhënë fund, pas një viti nga marrëveshja e dhjetorit të 2014,  një cështjeje që ka qenë objekt debatesh dhe akuzash për përfshirjen e elementëve me të kaluar kriminale në politikë apo dhe në poste zyrtare. Ligji do të  duhet të shmangë përfshirjen në politikë apo emërimin në institucionet kushtetuese apo poste të larta të administrates publike, persona me një të kaluar të errët.  Po me konsensus u miratuan dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat i hapin udhë zbatimit të menjëhershëm të ligjit. Presidenti Bujar Nishani kishte dhënë ndërkohë paraprakisht pëlqimin e tij, për dekretim të menjëhershëm.

Delegacioni i Bashkimit Evropian e ka mirpritur miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin.Ky hap, thotë përfaqisa e BE-së, pritet të forcojë zbatimin e ligjit, përmirësojë integritetin mes zyrtarëve, forcojë luftën kundër korrupsionit por njëkohësisht shtojë besimin e njerëzve ndaj funksionimit të shtetit dhe institucioneve.

Kjo paketë legjislative, thotë delegacioni i BE-së, demostron se dialogu konstruktiv ndër partiak është mënyra më e mirë për gjetur reformat që i nevojiten vendit.

U bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të përfshihen në dialog konstruktiv për të çuar përpara çdo sfidë të reformave delikate dhe mbi të gjitha reformën në drejtësi, thuhet në dekleratën e delegacionit të BE.

Efektet e ligjit do të shtrihen mbi të zgjedhurit aktualë si në parlament ashtu dhe në pushtetin vendor. Ai përcakton në mënyrë të detajuar të gjitha kategoritë që preken, që nga deputetët, ministrat apo përfaqësuesit e zgjedhur vendor deri të institucionet e tjera të shtetit, duke penalizuar jo vetëm ata që janë dënuar në Shqipëri por dhe ata që kanë marrë një dënim qoftë edhe jo të formës së prerë, në gjykatat e vendeve të Bashkimit europian, Shteteve të Bashkuara e Kanadasë. Ai parashikon një numër të madh veprash penale kryerja e së cilave bëhet shkas për të mos lejuar ushtrimin e funksioneve publike, si për gjatë gjithë jetës, ashtu dhe për afate të ndryshme kohore në varësi të veprës penale.

Cështja e dekriminalizimit ishte pjesë e marrëveshjes së kërkuar nga opozita vitin e kaluar për rikthimin e saj në parlament. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e parlamentit europian, ndërkohë që gjatë këtij viti në mënyrë të përsëritur, si përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara ashtu dhe të Bashkimit europian kanë ushtruar trysni për miratimin e ligjit.

Menjëherë pas miratimit, ambasada e SHBA-së shpërndau një deklaratë me anë të së cilës “mirëpret vendimin e guximshëm të parlamentit shqiptar për miratimin e ligjit për dekriminalizimin. Ky ligj është më i ashpri në Europë kundër kriminelëve në politikë”, nënvizon ambasada duke shtuar se “ndërkohë që ky ligj është rezultat i punës së madhe si nga shumica ashtu edhe nga, në fund të fundit ai është një fitore për qytetarët shqiptarë që duan qeverisje të pastër dhe fundin e korrupsionit. Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë në luftën e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit, ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.

Dy ditë më parë në përfundimet për Shqipërinë edhe Këshilli i Ministrave të jashtëm të BE-së nënvizonte se “pret miratimin dhe zbatimin e legjislacionit për përjashtimin e personave me rekorde kriminale nga funksionet publike, gjë e cila do të forcojë besimin e qytetarëve ndaj përfaqësuesve të tyre politik dhe institucioneve publike”. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>