Votë në favor edhe opozita. Palët në Komisionin e Posaçëm ranë sot dakort që t’i hapin rrugë diskutimit nen për nen
Në Shqipëri Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka miratuar sot në parim projektin e ndryshimeve kushtetuese, të rishikuar nga ekspertët e Misionit amerikan të Ndihmës ligjore OPDAT dhe atij europian EURALIUS. Miratimi është bërë në unanimitet si nga përfaqësuesit e shumicës dhe nga ata të opozitës, duke I hapur rrugë diskutimeve nen për nen.
Gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e opozitës duke shprehur qëndrimin e tyre ndaj projektin e rishikuar, ishin shprehur se ishin kundër miratimit në parim në Komisionin e Posaçëm, siç kishte propozuar në mbledhjen e kaluar kryetari i Komisionit, socialisti Fatmir Xhafaj. “Propozimi i Kryetarit të Komisionit të Posacëm në mbledhjen e fundit, se nga ana jonë duhet të ndiqet procedura e votimit të draftit “në parim”, njëlloj sic bëjnë Komisionet e Përhershme Parlamentare për projektligjet, është ekstra kushtetuese/ parlamentare”, kishte nënvizuar opozita përmes nënkryetarit të Komisionit Eduard Halimi. “Komisioni i Posacëm ka për detyrë vetëm “Propozimin për miratim të një pakete të plotë projektligjesh të nevojshme për reformimin e legjislacionit, që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, përfshirë ato kushtetuese, e hartuar me kontributin dhe mbështetjen e institucioneve të sistemit të drejtësisë, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, subjekteve të tjera të interesuara dhe opinionit publik”. Pra, qartësisht detyra jonë është hartimi i draftit që do t’i propozohet për shqyrtim dhe miratim Kuvendit të Shqipërisë”, nënvizonte opozita në qëndrimin e saj.
Ishte vetë zoti Halimi ai që shpjegoi sot arsyen e votimit në parim, që sipas tij “pati për synim që t’i hapë rrugë procesit të mëtejshëm me shqyrtimin e të gjitha çështjeve” dhe nuk ishte sipas tij një miratim i aspekteve politike të Reformës të cilat sic theksoi, do të ishin pjesë e diskutimeve nen për nen. Në fakt, në vlerësimin e saj për projektin e rishikuar opozita theksonte se “mbështesim në parim ndërhyrjet dhe përmirësimet e bëra nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT në draftin kushtetues, me shpresën se edhe mazhoranca ndan të njëjtin vullnet me opozitën parlamentare, për ta cuar përpara realizimin e Reformës në Drejtësi”. Sipas opozitës, projekti i rishikuar ka përfshirë përmirësime të shumta, ndërkohë që theksonte se do të diskutohen pikat për të cilat janë ofruar disa zgjidhje.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm Fatmir Xhafaj e quajti votimin e sotëm në parim “një hap të mirë përpara. Me këtë votë i hapet rruga diskutimit nen për nen të procesit, votimit në tërësi dhe shqyrtimit në seancë plenare”. Zoti Xhafaj shpjegoi se ai ka propozuar që për fazën e mëtejshme, procesi të ndahet në 6 kapituj, për të cilët do të diskutohet hap pas hapi, ndërkohë që paralelisht, u shpreh ai, këtë javë do të nisë dhe konsultimi publik për të paktën 7 ligje kryesore që janë thelbësor për vënien në zbatim të Reformës dhe ndryshimeve kushtetuese që ajo parashikon.
Vendimi i sotëm i Komisionit u përshëndet menjëherë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara. “Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme. Mbështetja unanime është e pazakontë në Shqipëri dhe ne e përgëzojmë Komisionin e Posaçëm për këtë hap të rëndësishëm përpara në reformën në drejtësi, thekson deklarata e Ambasadës amerikane. (voa)