Në seancën e fundit para se të marrë pushimet verore, Parlamenti ka miratuar projektligjin për turizmin me 79 vota pro dhe 13 kundër.
Në besimin e mazhorancës, ligji i ri i turizmit do t’i japë fund ndërtimeve kaotike, familjare dhe lokale në bregdet, duke bërë të mundur atë që ofrojnë fqinjët tanë në rajon, zona turistike me resorte, çka nuk bindi opozitën se ky draft e mundëson një gjë të tillë.
“Ky ligj nuk bën mrekullira, por strukturon dhe ndalon pikërisht atë “Golemizim” që sot i kemi lënë trashëgim fëmijëve tanë. Nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli, Golemi do të jetë ndoshta edhe 100 vjet në kurriz të shqiptarëve”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.
“Nëse ju pretendoni që ky ligj e zgjidh problemin e zhvillimit të qëndrueshëm, atëherë unë propozova që të vendosen në këtë ligj tre masa. Së pari, të mos ketë në zonën e bregdetit asnjë ndërtim mbi 3 deri në 5 kate. Së dyti, nuk ndërtohet 300 metra nga vija e ujit dhe të mos ndërtohet mbi 150 shtretër për hektar. Nëse sigurohen këto, atëherë shpëton ajo pjesë e bregdetit ku ende nuk ka ndërtime. Ligji nuk të zgjidh tërheqjen e investimeve të huaja. Nuk zhvillohet turizmi pa investime të huaja. Jo vetëm që nuk japim garanci juridike, por edhe mbështetja që ne japim është zero ndaj investitorëve. Atëherë, pse duhet të investojnë këtu?”, u shpreh Edmond Spaho, deputet i PD-së.
“Ligji synon që ta lehtësojë investitorin në marrëdhënie me pronarët. Shteti asiston në një negociatë të mundshme me pronarët dhe në qoftë se aty kemi një gangrenë 22 vjeçare, ku toka nuk është regjistruar, atëherë detyrohet ZRPP me këtë ligj që brenda tre muajve të bëjë regjistrimin fillestar sepse pronësia mbi tokën është një nga problemet kryesore. Ka pak toka shtetërore për shkak të kazinosë që keni bërë me to në bregdet. Ato toka shtetërore do t’i jepen investitorëve strategjikë me 1 euro, me konkurrim. Një investitor strategjik që investon 50 milionë euro e sipër në fushën e turizmit, mund të sjellë me kërkesën e tij në këtë Parlament kontratën që ka dhe ta bëjmë ligj. A ka siguri më të madhe se sa një kontratë investimi të kalojë si ligj në këtë Parlament? Problemi i ndërtimit të fshatrave fantazmë ndalohet një herë e mirë nga ky ligj. Nuk ka më që ti të ndërtosh 100 vila dhe t’i shesësh të gjitha ato. Duhet të ngresh struktura akomoduese turizmi, të cilat menaxhohen, nëse doni edhe 12 muaj”, shtoi Ahmetaj.
E pavarësisht garancive të ministrit Ahmetaj, ish-kryeministri Berisha hodhi dyshimet më të forta për ligjin.
“Ligjin nuk mund ta votoj sepse është ligj burracakësh dhe burrecësh. Ligji duhet të sillte këtu paketën me stimuluese të ndërtimeve të turizmit në zonat strategjike, që ekziston mbi tokë. Ligjin nuk e votoj sepse shoh në nene të tëra Koço Kokëdhimën që nxin në ligj. Shoh resortin e tij turistik, shoh përkujdesjen vëllazërore që tregoi duke u grabitur shtëpitë gjysmës së fshatit Qeparo. Ruhuni nga ju nga Vunoi. Pra ky ligj, është një ligj i interesave të ngushta kriminale të kreut të qeverisë dhe sivllaut të tij Kokëdhima dhe ndonjë sivëlla tjetër që shkon e ndërton në monumentin kulturor më të mbrojtur të Tiranës”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.
Ligji gjithashtu do të bëjë realisht të mundur vlerësimin e shërbimeve që ofrohet, duke shmangur abuzimin me yjet që vetëvendosen nga hotelet, sipas ministrit të Ekonomisë.
“Nuk do t’i certifikoi as ministri i Turizmit, as Komisioni nëse doni; do ta bëjmë me kompani ndërkombëtare, me një nga 8, ose me të 8-ta nëse doni, kompani ndërkombëtare që standardizojnë yje. Do ta bëjë një kompani ndërkombëtare që nuk ka interesa të drejtpërdrejta klienteliste, siç u tha nga ish-kryetari i PD-së, por ka interesa standardi për ta futur Shqipërinë në hartën e destinacioneve më të mira turistike”, tha Ahmetaj.
Deputetë të mazhorancës kërkuan që projektligji të shoqërohet me masa fiskale gjithashtu.
“Me këtë ligj nuk zgjidhet gjithçka, por përmirësohen shumë gjëra. Jemi të paduruar të presim propozimet për ndërhyrjet në sistemin fiskal në sektorin e turizmit, ku Shqipëria nuk mund të ketë TVSH 20 përqind kur vendet e rajonit përfshirë edhe Italinë nuk e kalojnë 5 përqind dhe ku është shumë e domosdoshme ndërhyrja me subvencionime për të rritur gjatësinë dhe cilësinë e sezonit turistik në Shqipëri”, tha deputeti i PS-së,Artan Gaçi.
“Ky ligj sjell turizëm vjetor të integruar, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit, krijimin e programeve kombëtare për stafin për turizmin, me tre programe, turizmi për të rinjtë, eko-turizmi dhe programi për turizmin malor dhe bregdetar”, u shpreh Bashkim Fino, deputet i PD-së.
Deputetët e mazhorancës thanë se ministrisë së drejtuar nga Ahmetaj i është lënë një afat tremujor për të bërë të mundur paketën e masave lehtësuese për industrinë e turizmit.
Ligji i turizmit mbylli dhe këtë sesion parlamentar për të rifilluar në shtator.
/ Top Channel