Moti i keq, Emergjencat: Problemet më të shumta në qarqet veriore

rruga-me-boreReshjet e dëborës të rëna gjatë 24 orëve kanë shkaktuar bllokimin e disa akseve rrugore kryesisht në zonat rurale. Në disa akse nacionale ka pasur vështirësi në qarkullim, duke bërë të detyrueshëm përdorimin e zinxhirëve për automjetet.

Strukturat e Emergjencave Civile në rrethe dhe kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë në krye të detyrës duke pastruar dëborën në akset rrugore, duke hedhur skorie e kripë në rrugë apo duke u ardhur në ndihmë mjeteve që kishin probleme.

Situata është qarkun e Korçës dhe atë të Vlorës është përmirësuar ndjeshëm dhe qarkullimi kryhet normalisht. Vetëm në pikat turistike të Dardhës dhe Voskopojës përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm.

Për shkak të motit të keq, ka probleme me furnizimin dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit.

Situata sipas qarqeve paraqitet si më poshtë:

QARKU KUKËS
•  Rruga e Kombit dhe akset e tjera kombëtare janë të qarkullueshme me  zinxhirë.
•  Akset Kukës- Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me zinxhirë.
•  Akset rurale Kukës-Shishtavec, Kukës-Shën Mëri dhe Surroj –Arrën vijojnë të jenë të bllokuara.
•  Në qytetin e Kukësit edhe atë të Hasit është rikthyer energjia elektrike pas ndërhyrjes së specialistëve të OSHEE, me përjashtim të dy Njësive Administrative, Bicaj dhe Ujmisht.
•  Një shtetase e cila kishte probleme shëndetësore në Fshatin Berishë të Rrethit Tropojë është duke u transportuar drejt spitalit të Tropojës për mjekim më të specializuar. Për hapjen e rrugës po përdoret një fadromë.

QARKU SHKODËR
•  Në malin e Shoshit ka mbi 1 m dëbore dhe po punohet për zhbllokimin e këtij aksi ndërkohë firma kontraktuese ka hapur rrugën deri në fshatin Kir dhe po vazhdon drejt Bregut të Lumit.
•  Aksi rrugor Pogë-Qafë Thore – Theth është i bllokuar.
•  Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult nuk ka energji elektrike.
•  Me kërkesë  të Prefektit të Qarkut Shkodër  dhe me mbështetjen  e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile ka shkuar në ndihmë për  Bashkinë Shkodër një traktor me zinxhirë nga Ministria  e Mbrojtjes për hapjen e segmenteve të bllokuara.
•  Në fshatin Levosh, Njësia Administrative Iballë në një ndërmarrje kromi janë bllokuar tre punëtorë. Po bëhen përpjekje për të siguruar transportimin e tyre për në banesat.
•  Aksi Fushë Arrëz-Pukë është i qarkullueshëm me zinxhirë.
•  Aksi rrugor Fushë Arrëz – Iballë dhe Pukë – Qelëz janë të pa kalueshëm dhe  po punohet për hapjen e rrugës me 2 borëpastruese.
•  Të bllokuar janë edhe akset rrugore Fushë Arrëz – Iballë dhe aksi rrugor Qafë Mali – Fierzë ,Qafë Shllak – Kukës pasi trashësia e dëborës arrin në 1 m. Po punohet për hapjen e dy rrugëve.
•  Me energji elektrike furnizohet vetëm qyteti i Fushë Arrëzit.
•  Në Malësi e Madhe segmentet rrugore Bogë-Qafë Thore, Selcë (Shkemb i Kuq)-Budaqë (Vermosh) janë të bllokuara. Në vendin e quajtur “Gropat e Selcës” ka rreth 70 cm dëbore, po punon një borëpastruese për mbajtjen hapur të rrugës.
•  Fadroma e dërguar nga Forcat e Armatosura nuk ka mundur të ndërhyjë në Malësinë e Madhe pasi ka prani të madhe të dëborës së ngrirë.
•  Vështirësi qarkullimi ka në  Urën e Spatharit,  në aksin rrugor Vau Dejës-Shkodër si rezultat i ngricave. Policia  është duke monitoruar situatën ndërsa pushteti vendor ka hedhur kripë.

QARKU DIBËR
•  Aksi rrugor kombëtar Qafë Bualli –Peshkopi, Njësia Administrative Maqellarë qarkullimi bëhet me vështirësi vetëm me zinxhirë.
•  Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor ndërsa janë angazhuar 4 mjete borëpastruese.

QARKU ELBASAN
•  Në qarkun Elbasan, aksi rrugor Librazhd-Stëblevë është i bllokuar dhe po punohet me dy mjete borëpastruese për hapjen e tij.
•  Në Njësinë Administrative Labinot Mal ka tre fshatra pa energji elektrike ndërkohë energjia mungon edhe në Njësinë Administrative Stëblevë.

QARKU KORÇË
•  Të gjitha akset rrugore janë të hapura. Qarkullimi me zinxhirë bëhet vetëm në pikat turistike të Dardhës dhe Voskopojës.

QARKU VLORË
•  Në Qafën e Llogorasë, trashësia e dëborës arrin nga  4 deri në 5 cm. Rruga është e kalueshme pa zinxhir. Ndërkohë firma kontraktore ka marrë masat për hedhjen e kripës në këtë segment rrugor.
•  Në Qafën e Muzinës  ka rënë dëborë e lehtë. Ky segment është i kalueshëm pa zinxhirë. Prezencë të dëborës ka edhe në Bashkinë Himarë.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>