Ndalohen protestuesit e PD, Basha: Shteti antiligjor nuk do të na ndalë

bashaKryetari i PD, Lulzim Basha, pasi ka vizituar anëtarin e PD, Ndriçim Babasi dhe protestuesit e tjerë të ndaluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ka riakuzuar kryeministrin Rama se po përdor policinë për qëllimet e tij kriminale, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me çdo ligj.

“Sot provuam se regjimi i Edi Ramës është antikushtetues dhe antiligjor. PD dhe qytetarët provuan se janë në anën e së drejtës dhe Kushtetutës dhe se krimi e oligarkia janë përballë nesh”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, kreu i qeverisë po përpiqet t’i kundërvihet të drejtave elementare të qytetarëve duke përdorur dhunën “e zhveshur dhe shtazarake” përmes forcave të policisë.

“Këta mendojnë se me anë të dhunës dhe frikës do mund të vendosin regjimin oligarkik në Shqipëri. Por kjo nuk ka për të ndodhur, se ne luftojmë për shtetin ligjor dhe demokracinë dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do të fitojmë”, ka thënë Basha.

Shullazët, ka shtuar ai, “bëjnë ligjin në komisariatet e policisë, ndërsa qytetarët grabiten në mes të ditës nga maskat”.

“Kam kërkuar nga prokuroria që përgjegjësit e kësaj dhune të dalin përpara drejtësisë”, ka shtuar Basha, i cili pak minuta më parë u takua me prokurorin e gatshëm Shpëtim Kurti dhe prokurorin tjetër Adnan Xholi.

Ndalohen anëtari i PS, Ndriçim Babasi dhe protestuesit e opozitës

Agjentë të policisë së Tiranës, me maska, shoqëruan këtë paradite përfaqësuesin e PD për njësinë bashkiake numër 5 të kryeqytetit, Ndriçim Babasi dhe disa manifestues të Partisë Demokratike. Ndalimi u bë në një lokal të njohur të kryeqytetit, nga një grup agjentësh që i morën dhe i nxorrën jashtë.

Lajmi u denoncua për mediat nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për shtyp, menjëherë pas të cilës vetë Basha dhe deputetët demokratë u drejtuan për tek Drejtoria e Policisë.

Pas disa orësh pritje, gjatë pasdites prokurorët Adnan Xholi dhe Shpëtim Kurti kanë mbërritur në selinë qendrore të policisë së kryeqytetit dhe kanë biseduar me kreun e PD.

Pas dialogut të zhvilluar mes tyre, Basha dhe kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka janë lejuar të hyjnë në ambjentet e Drejtorisë së Policisë për të takuar të ndaluarit.

Paloka dhe Ristani: Gjendje absurde; denoncon “policinë me maska”

Pak më herët, Paloka denoncoi mungesën e informacionit nga ana e drejtuesve të policisë së Tiranës lidhur me arrestimin e përfaqësuesit të saj, Ndriçim Babasi dhe protestuesve të tjerë në Parkun e Liqenit.

“Gjendje absurde, askush nuk jep përgjigje! Ky është një shtet qesharak që nuk zbaton as procedurat elementare. Ka ardhur prokurori i gatshëm dhe shpresojmë të marrim informacion prej tij”, deklaroi Paloka.

Ai akuzoi policinë për zbatim të urdhërave arbitrarë dhe theksoi se qytetarët sot nuk mund të kenë besim tek ajo. “Policië me maska grabisin bankat, grabisin qytetarët dhe nuk dimë ç’ndodh. Ku e dimë ne që ata që rrëmbyen sot qytetarët janë të policisë?”, tha Paloka.

Po ashtu, deputeti Arben Ristani akuzoi policinë se, kishte ndaluar me dhunë politikanët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për shkak të protestës tek Kodrat e Liqenit.

“Këtu në komisariat po tallen me ne. Jemi të gjithë këtu dhe nuk do ta lejojmë këtë. Dhuna nuk është përgjigjia e duhur dhe ndaj dhunës ne do të triumfojmë bashkë me shqiptarët”, tha Ristani.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>