Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka ndaluar gjatë orëve të vona të së hënës dy drejtues të lartë të Interpol Tiranës për çështjen e Mark Frrokut në Belgjikë.
Burime të policisë thanë se është ndaluar drejtori i Interpolit Tiranës, Artan Bajraktari dhe specialistja, Loreta Alla. Ata nuk kanë njoftuar autoritetet që Frroku ka qenë i kërkuar në Belgjikë, pasi kërkesa nga autoritetet belge ka mbërritur në Tiranë në janar të këtij viti.
Oficerët akuzohen se kanë fshehur disa prova dhe nuk kanë vepruar për këtë çështje.
Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të shtunën se Belgjika kërkon arrestimin e deputetit Mark Frroku nën akuzën e “vrasjes me paramendim”, mbi një ngjarje të ndodhur në vitin 1999 në Bruksel.
Për këtë çështje, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve diskuton sot për heqjen e imunitetit të Mark Frrokut, i cili ndodhet në ‘arrest shtëpie’ për çështjen e denoncuar nga Tom Doshi. / Top Channel