Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur gjatë mbledhjes së sotme që brenda muajit nëntor të këtij viti të ngrihet Struktura e Posaçme e AntiKorrupsionit (SPAK).
SPAK u votua me 11 vota “pro” propozimi i Komisionit të Posaçëm për ngritjen e SPAK-ut me 8 prokurorë.
Në propozimin e miratuar thuhet se KLP-ja duhet të koordinohet me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) për ngritjen e SPAK-ut. “Ekzistenca e njërit organ pa tjetrin, qoftë edhe disa orëshe mund të sjellë probleme”, shkruhet në propozim.
Aktualisht, janë pikëzuar vetëm 8 kandidatë për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, të cilët kanë kaluar procesin e vetting-ut, nga 22 kandidatë që garonin në total. Prokurorët pjesë e SPAK janë: Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Behar Dibra.
Në Kushtetutë thuhet se ngritja e kësaj strukture kërkon jo më pak se dhjetë prokurorë për të nisur punën me dosjet e para. Kreu i Komisionit të Ligjeve Manja i ka kërkuar kreut të KLP-së, Gent Ibrahimit, që SPAK-u të ngrihet brenda këtij viti me 8 prokurorët, të cilët kanë kaluar të dyja shkallët e vetting-ut, ndërsa dy të tjerët të jenë prokurorë të përkohshëm ose të komanduar.
shekulli