Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili mbërriti në Shqipëri këtë të mërkurë për një vizitë zyrtare.
Erdogan kryeson një delegacion zyrtarësh dhe investitorësh turq të interesuar për investime në Shqipëri.
Pas takimit kokë më kokë, dy Presidentët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe u nxit thellimi i bashkëpunimit në fusha të tjera, por edhe përmirësimi i tij në sektorë ku ky bashkëpunim është prezent.
Presidenti Bujar Nishani, pasi falenderoi Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët në rajon, vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes Tiranës dhe Ankarasë.
“Marrëveshja për çështjetn e sigurisë e nënshkruar sot mes dy ministrave të Brendshëm të vendeve tona, i shërben bashkëpunimit dhe infrastrukturës në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Kjo marrëveshje forcon bashkëpunimin dypalësh mes dy vendve aleate në NATO në këtë fushë dhe i shërben aspiratave tona integruese e forcon pozitat tona në aleancën tonë të përbashkët”- deklaroi Nishani.
Nishani u ndal edhe tek ngjarjet e Kumanovës, ku bëri thirrje për transparencë dhe frenim të përpjekjeve për ta shndërruar këtë “incident të izoluar”, si një konflikt ndëretnik. Ai kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Ngjarja ka tronditur jo vetëm rajonin, por gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Bëjmë thirrje për zbardhjen e ngjarjes dhe një hetim transparent. Bëjmë thirrje për frenimin e menjëherëshëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë rast në një konflikt të paqenë ndëretnik dhe të zbatohet Marrëveshja e Ohrit”- tha Nishani.
Objektiv është që shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë të prekin 1 miliard dollarë në të ardhmen dhe për këtë Nishani kërkoi thellimin e bashkëpunimit. Presidenti shqiptar vlerësoi rolin e Turqisë për ndërtimin e gazsjellësit TAP. “Ramë dakort mbi rëndësinë strategjike të TAP, jo vetëm për diversifikimin e burimeve të energjisë, por dhe mbi ndikimin pozitiv që ky projekt ka mbi ekonomitë e dy vendeve tona” – u shpreh presidenti Nishani.
Në orën 15:00, Erdogan do të përurojë nisjen e punimeve në Xhaminë e Namazgjasë, ku Komuniteti Mysliman turk ka dhënë 30 milionë euro për ndërtimin e saj.
Më pas, në orët e pasdites Erdogan dhe Nishani do të marrin pjesë në forumin e përbashkët të biznesit Shqipëri-Turqi.
/ Top Channel