Në Selanik kanë nisur punimet për ndërtimin e gazsjellësit të ri, që është projektuar të transportojë gazin azer përmes Greqisë veriore e Shqipërisë për në Itali, një investim që do të reduktonte varësinë energjetike të Europës nga Rusia.
Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) do të jetë 878 kilometra i gjatë nga kufiri i Greqisë me Turqinë, deri në Italinë jugore, si dhe përfshin gjithashtu një shtrirje nën detin Adriatik prej 105 kilometrash. Shpërndarja e gazit drejt Europës pritet të fillojë në vitin 2020.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras tha se projekti do të krijonte 8.000 vende të reja pune në vendin e tij që po vuan ekonomikisht, e që deri më tani ka një normë papunësie prej 24 për qind. Kreu i ekzekutivit grek foli gjatë një ceremonie të kësaj të marte, që shënonte fillimin e ndërtimit të gazsjellësit në qytetin verior portual të Selanikut.
“TAP” është një projekt bashkërisht i investuar dhe i zotëruar prej kompanisë britanike “BP”, asaj azere “SOCAR”, italianes “Snam”, belges “Fluxys”, spanjolles “Enagas”, si dhe zviceranes “Axpo”.
/ Top Channel