Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori, fajësoi sot institucionet shtetërore dhe qarqet politike për ngarkesën e madhe të punës nëpër gjykata.
“Politika i ndryshon ligjet dhe njerëzit pas çdo rotacioni pushteti për qëllime elektorale dhe kjo mbingarkon gjykatat me dhjetëra mijëra procese, të cilat vonohen dhe gjykohen pa cilësi” – tha ai.
Zoti Zaganjori shtoi se mijëra nëpunës hiqen nga puna pa asnjë motiv dhe ata dynden nëpër gjykata, po ashtu pronarët, ushtarakët dhe pensionistët.
Zoti Zaganjori i bëri këto komente në një konferencë të qendrës INFOÇIP, ku u publikua një studim mbi punën dhe gjendjen e gjykatave administrative, mbështetur nga National Endowment for Democracy, NED, në Washington D.C, SHBA.
Studimi, i bazuar në shqyrtimin e mbi 10 mijë vendimeve gjyqësore, zbuloi se koha gjykimit të një çështjeje gjyqësore nga 90 ditë sipas ligjit, në fakt shkon deri në 1 vit e gjysmë.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, foli me shqetësim për vonesat në ngritjen e organeve të reja të drejtimit të sistemin gjyqësor si Këshilli i Lartë Gjyqësor
“Moskrijimi i këtij këshilli vonon plotësimin të trupës gjyqësore, ndaj forcat politike, Kuvendi, shoqëria civile dhe sistemi gjyqësor sa më shpejt dhe transparent të ndërmarrin veprime konkrete, sipas Kushtetutës dhe Komisionit të Venecias, të ndërmarrin hapa serioze e transparentë, në mënyrë që kjo reformë e madhe të kryhet sa më shpejt, larg politizimit të skajshëm dhe për interesa partiake të ditës” – tha zoti Meta.
Çdo vonesë e mëtejshme është, sipas tij, në dëm të interesit publik, të gjykatave, në dëm të vetë reformës në drejtësi, dhe të qytetarëve shqiptarë. (voa)