Liderët e Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë tri marrëveshje në samitin në Berlin, i cili fillon më 3 nëntor.
Marrëveshjet do të jenë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale, njoftuan zyrtarë të Qeverisë gjermane.
Një zyrtar qeveritar në Berlin i tha Reuters-it se këto janë lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit, ku edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave ndëretnike të viteve ‘90, tensionet nuk ka përfunduar.
Siç shpjegoi ai, qëllimi është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Kjo ka të bëj sidomos me Serbinë, e cila u bombardua nga NATO-ja dy dekada më parë dhe e cila kërkon të baraspeshojë lidhjet historikisht të ngushta me Rusinë dhe aspiratat për integrim ekonomik dhe politik me Perëndimin.
Siç raporton Reuters, zyrtari i Qeverisë gjermane tha se Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian apo të hyjë në një partneritet me Rusinë.
“Nevoja për të marrë një vendim del në pah marrë parasysh ngjarjet gjeopolitike”, tha zyrtari gjerman, duke iu referuar luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Më 3 nëntor, kancelari gjerman Olaf Scholz duhet të presë në Berlin liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së, në kuadër të të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”, që është iniciuar nga paraardhësja e tij, Angela Merkel./REL
Top Channel