Eshtë mbyllur pa incidente protesta e sotme e opozitës, e cila nisi para parlamentit, i rrethuar gjatë natës me tela me gjemba, ndërsa qindra forca policie ishin angazhuar pas informacione që policia tha se kishte “për organizimin e akteve të dhunshme, me synim hyrjen në sallën e parlamentit”. Seanca normale e së enjtes, ishte shtyrë me një vendim të kryetarit të Parlamentti Gramoz Ruçi. Gjë që sipas opozitës dëshmon se tanimë “parlamenti ka rënë”.
Të gjithë deputetët e opozitës kanë rënë dakort që në bllok të heqin dorë nga mandatet e tyre parlamentare. Një pjesë e mirë e tyre ju drejtuan me fjalime të shkurtra mbështetësve të shumtë që morën sot pjesë në protestë. Ndaj këtij vendimi, apo dhe ngjarjeve të dhunshme gjatë protestës të së shtunës, ka patur reagime kritike nga Brukseli apo dhe Uashingtoni. Por në fjalën e tij përpara protestuesve, zoti Basha u shpreh se “mesazhi ndaj miqve tanë është se ne nuk jemi popull i dhunës, jemi popull i lirisë, i demokracisë. Jemi e ardhmja europiane e Shqipërië. Por ne nuk do pranojmë kurrë më një kryeministër bandit, të kapur në flagrancë duke vjedhur vullnetin e popullit në bashkëpunim me bandat e krimin, duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarë që nuk paguajnë dot bukën e gojës”, u shpreh zoti Basha, duke shtuar se “kërkoni gjithshka që mund t’ju jap, por mos më kërkoni kurrë të pranoj për popullin tim atë që nuk do pranonit për popullin tuaj”.
Kryetari demokrat saktësoi se nuk do të ketë kthim pas dhe se “për Ramën dorëheqja është vetëm fillimi. Ai do përfundojë para drejtësisë aty ku e meriton sipas ligjit”.
Pas manifestimit paqësor përpara godinës ku mblidhen seancat parlamentare, opozita dhe mbështetësit e saj u drejtuan pranë zyrave të parlamentit, ku ata dorëzuan zyrtarisht deklaratën me të cilën heqin dorë nga mandate. Më pas të gjithë u kthyen në selinë e Partisë Demokratike. “Prej sot jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju”, ju drejtua zoti Basha, mbështetësve që e shoqëruan deri në fund. “Nisëm sot një rrugëtim shprese, i cili nuk do të ndalet derisa integrimi europian të bëhet realitet, derisa të largojmë kryehajdutin dhe qeverinë e tij kriminale”, u shpreh zoti Basha, duke mbyllur fjalën e tij me thirrjen: “Bëhuni ati për betejën e radhës në Tiranë, Shkodër, Vlorë…anemambanë vendit”.