Në Shqipëri partitë opozitare rikonfirmuan sot përmes një deklarate “vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë”. Këtë vendim partitë e opozitës e paralajmëuan që më 10 mars kur qëndrimin e tyre e bënë publik përmes një letre që i drejtuan Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Afati për regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet e 18 Qershorit skadon më 9 prill.
Përmes deklaratës së sotme partitë e opozitës, ripërsëritën dhe një herë se sipas tyre “zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Sipas opozitës “duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare”. Kryeministri nga ana e tij ka mbajtur një qëndrim të prerë duke deklaruar se partia e tij do të respektojë datën e zgjedhjeve, edhe nëse Partia demokratike dhe partitë e tjera të opozitës nuk do të marrin pjesë.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha edhe sot në fjalën e tij nga tenda e ngritur në sheshin përpara godinës së qeverisë deklaroi se “kjo që po zhvillojmë është jo më pak se një luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë demokratike, për Shqipërinë euroatlantike”. Zoti Basha u shpreh sërish sot se “për këtë betejë, për këtë kauzë, kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e largimit të krimit nga politika, kauzën e luftës pa kompromis kundër drogës, ky shesh, kjo agorë, Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe gjithë shqiptarët e ndershëm, PO, kanë marrë mbështetje totale në Uashington!”. Një deklaratë e cila duket se vjen si një përgjigje ndaj reagimit të një dite më parë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. E pyetur nga Top Channel, lidhur me deklaratat e zotit Basha sipas së cilave administrata e presidentit Donald Trump mbështet protestën e opozitës, ambasada përmes një zëdhënësi u përgjigj ““Jo. Qeveria e Shteteve te Bashkuara mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve, por këto çështje nuk duhet të përdoren si shfajësime për të bojkotuar Parlamentin, për të bllokuar zgjedhjet, apo për të vonuar zbatimin e reformës së gjyqësorit. Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës për t’i zgjidhur këto”, nënvizon deklarata e cituar nga Top Channel. (voa)