Opozita në bllok heq dorë nga mandatet parlamentare

BashaNë Shqipëri, grupi parlamentar i Partisë Demokratike iu përgjigj sot unanimisht propozimit të Kryetarit të partisë Lulzim Basha për djegien e mandateve të deputetëve. Këtij vendimi iu bashkuan dhe aleatët e tjerë të partive të vogla të së djathtës, dhe në mbrëmje edhe Lëvizja socialiste për Integrim, forca e dytë më e madhe e opozitës

“Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare, vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017”, njoftoi zoti Basha në përfundim të një mbledhjeje të gjatë të Grupit parlamentar të partisë së tij, i cili i dha mbështetje propozim të bërë nga ai një ditë më parë.

Kryetari demokrat pati pasdite një takim dhe më drejtuesit e partive të vogla opozitare, disa prej të cilëve janë anëtarë të parlamentit, duke marrë dhe prej tyre mbështetje për vendimin ekstrem. “Mendoj se është detyrim I secilit prej nesh që t’i përgjigjet atij zëri dhe thirrje të qytetarëve shqiptarë, pra të kemi një qëndrim të përbashkët që ka të bëjë me djegien e mandateve të deputetëve”, deklaroi kryetari republikan Fatmir Mediu..

Më herët zoti Basha u takua dhe me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, partia e dytë më e madhe e opozitës dhe me një numër të konsiderueshëm deputetësh. Në mbrëmje, dhe LSI-ja ju bashkua të njejtit qëndrim. “Grupi Parlamentar i LSI-së vlerëson se djegia e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisjes përmes votës së lirë”, njoftoi në përfundim të mbledhjes me deputetët e saj zonja Kryemadhi.

Shumica nga ana e saj është shprehur e pashqetësuar nga vendimi i opozitës, dhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të gjithë të fokusohen të përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Tensioni politik në vend kulmoi të shtunën me protestën e opozitës para kryeministrisë ku u rregjistruan episode të dhunshme, me grupe protestuesish që disa herë me radhë sulmuan hyrjen qëndrore të godinës, por u sprapsën nga forcat e sigurisë që përdorën pompat e ujit dhe gazllotsjellësh.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>